Një zjarr i madh ka përfshirë një stallë bagëtish të premten, në fshatin Sopijë të Suharekës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është raportuar nga pronari, i cili ka njoftuar se zjarri ka përfshirë stallën e tij bashkë me ushqimin e bagëtive.
Sipas tij, zjarri është shkaktuar nga fqinja e tij, e cila kishte ndezur disa mbeturina në oborr.
Për shkak të erës së madhe, flakët janë përhapur dhe kanë përfshirë stallën, duke e djegur plotësisht.
Sipas vlerësimeve të para, dëmi i shkaktuar arrin shifrën e rreth 20,000 eurove, ndërsa janë djegur edhe rreth 700 duaj sanë, me një vlerë prej 1,400 eurosh.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, i cili ka udhëzuar që rasti të procedohet në procedurë të rregullt.