Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se të mërkurën ka nisur procesi i votimit me postë për qytetarët e Kosovës që janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale jashtë vendit.
Periudha e votimit me postë do të zgjasë 25 ditë, nga 17 shtatori deri më 11 tetor, dhe do të përfshijë vetëm 43,933 votues që janë regjistruar me sukses jashtë Kosovës.
“Në përputhje me detyrimet e përcaktuara në Rregulloren Zgjedhore Nr. 04/2025 për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, sipas të cilave KQZ do të sigurohet që shtetasve të Kosovës të regjistruar për votim me postë t’ua dërgojë përmes postës pakon me fletëvotime, KQZ ka përgatitur pakot për secilin votues të regjistruar, e cila përmban nga dy fletëvotime, një për zgjedhjet për Kryetar Komune dhe një për Zgjedhjet për Kuvend Komunal.”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Deri më tani, disa pako me fletëvotime janë dërguar përmes postës për votuesit e regjistruar në disa shtete, ndërsa shërbimet postare do t’i përcjellin ato te votuesit në adresat e dhëna gjatë procesit të regjistrimit. KQZ vazhdon të dërgojë pjesën tjetër të pakove me fletëvotime.
“Zarfi i cili do t’i dërgohet votuesit përmban: fletëvotimet; zarfin e fshehtësisë; udhëzuesin me informacione se si plotësohen fletëvotimet dhe si realizohet votimi përmes postës; zarfin kthyes dhe shiritin mbyllës”, vijon njoftimi.
Votuesit jashtë Kosovës duhet të depozitojnë pakot me fletëvotime në njërën nga kutitë postare të KQZ-së. Në shumicën e rasteve, KQZ ka shënuar paraprakisht adresën e kutisë postare përkatëse në shtetin e votuesit. Kur adresa nuk është e shënuar, votuesi duhet të përdorë njërën nga kutitë postare të KQZ-së.
“KQZ fton për vëmendje votuesit e regjistruar se çdo dërgesë postare duhet të jetë individuale. Të gjitha informacionet e detajuara për procesin e votimit jashtë Kosovës, KQZ ua përcjellë individualisht votuesve të regjistruar në e-mail adresat e tyre”, përfundon njoftimi.