Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, janë nazistë.
Në një opinion të publikuar në Telegram, Zakharova ka shkruar se Kurti dhe Zelensky vetëm pretendojnë se e kundërshtojnë etiketimin si neonazistë, duke thënë se së shpejti ata do ta pranojnë këtë, pasi siç ka thënë, e kanë mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së.
Reagimi i Zakharovas ka ardhur pas planeve të Ministrisë së Kulturës në Kosovë për ta rinovuar shtëpinë e dikurshme të Xhafer Devës.
“Autoritetet aktuale në Kosovë, një territor separatist, vendosën të përjetësojnë kujtimin e Xhafer Devës në sfondin e një përshkallëzimi midis Prishtinës dhe Beogradit. Prishtina është e gatshme të shpenzojë 300 mijë euro për të restauruar një ndërtesë të vogël trekatëshe ku ky bashkëpunëtor nazist dhe kriminel lufte ka jetuar gjatë okupimit. Kjo po ndodh pavarësisht protestave të shprehura nga shoqatat hebraike, madje edhe nga ambasadori gjerman. Megjithatë, Prishtinës nuk mund t’i kushtohej vëmendje, dhe patronët e saj – Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe BE-ja, kanë heshtur. Nuk është se janë në siklet; ata në fakt janë shumë të lumtur. Në fund të fundit, të gjithë ata Kurti, Zelensky dhe të tjerë që pëlqejnë t’i këndojnë Lavdi Ukrainës vetëm pretendojnë se kundërshtojnë etiketimin si neonazistë. Unë mendoj se së shpejti do të thonë: Po, ne jemi nazistë, por çfarë mund të bëni nëse BE-ja na sponsorizon ndërsa Shtetet e Bashkuara na furnizojnë me armë?”, ka shkruar Zakharova.
Familjarët e ish-ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Xhafer Deva, kanë dorëzuar padi në Gjermani ndaj ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, në lidhje me mënyrën se si ambasadori kishte reaguar ndaj planeve të Ministrisë së Kulturës për ta rinovuar shtëpinë e dikurshme të Devës.
“Shumë i shqetësuar për planet e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës, një bashkëpunëtor/protagonist i njohur nazist i SS famëkeq Skënderbeg Div. Asnjë zbardhje e historisë! Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas. Mbro Faktet”, ka shkruar Rohde në llogarinë e tij në Tëitter.
Ndërkohë nipi i Devës, Valdeti, në Facebook ka shkruar se të mërkurën do të dorëzohet padia ndaj Rohdes në Gjykatë në Berlin.