Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka deklaruar se SHBA-ja është e përkushtuar që në mënyrë diplomatike të zgjidh çështjen e dinarit serb në Kosovë.
Në një konferencë për media, i pyetur për deklaratën e Ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, i cili gjatë së martës ka thënë se Shtetet e Bashkuara mund të mos e trajtojnë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të, Mathew është shprehur se SHBA-ja është e angazhuar që në mënyrë diplomatike të zgjidh çështjen e dinarit serb.
Ai ka përsëritur se kërkesa e SHBA-së është që palët të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Unë do të them se ne do të vazhdojmë të angazhohemi në diplomaci për të zgjidhur këtë çështje. Dhe ne duam që të dyja palët të kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, dhe përtej kësaj, nuk dua të parashikoj ndonjë hap specifik nga këtu”, u shpreh ai para gazetarëve.
Gjatë së martës Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien lëshoi një deklaratë të fortë duke thënë se nëse Qeveria Kurti nuk i trajton Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partner, atëherë një gjë e tillë ngren ë pikëpyetje nëse edhe këta të fundit mund ta konsiderojnë qeverinë e Kosovës si partnere, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
O’Brien e cilësoi si “paaftësi qeverisjeje” vendimin e Kosovës për ndalimin e dinarit, rregullore kjo e BQK-së që hyri në fuqi me datë 1 shkurt.
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën theksoi se një vendim i tillë ishte i nxituar dhe paparalajmërim, e që siç tha ai nuk është bërë përpjekje për të shfrytëzuar mekanizmat ekzistues për të gjetur zgjidhje për problemet që mund të lindnin.
“Kjo është çështje partneriteti dhe aftësie në qeverisje. Të gjitha problemet që janë hasur që kur u shpall ky vendim, u identifikuan që në 5-10 minutat e para, pasi mësuam për të. Megjithatë qeveria vazhdoi me zbatimin e tij pa paralajmërim dhe ka lënë një numër qytetarësh të vet të hutuar se si të paguajnë për bukën, qeranë dhe energjinë elektrike, të cilën disa prej tyre sapo kanë filluar ta paguajnë. Kjo nuk është formë e qeverisjes efektive. Jemi shumë të shqetësuar, pasi kjo tregon paaftësinë e qeverisë për t’i shërbyer qytetarëve të saj, por edhe për partneritetin. Të jesh pjesë e Evropës sot nënkupton t’i zgjidhësh çështjet përmes dialogut me planifikimin efektiv dhe paralajmërim. Ky vendim është shpallur me nxitim, pa paralajmërim dhe pa një përpjekje për të shfrytëzuar mekanizmat ekzistues për të gjetur përgjigje për gjithë problemet që mund të lindnin”
“Ai kuptoi shqetësimet, premtoi se do të punonte për to, por qartazi vendosi miratimin e vendimit. Nëse ai nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere”, tha O’Brien për Zërin e Amerikës, derisa tregoi për një bisedë që kishte pasur me Kryeministrin Kurti pak kohë para se vendimi të hynte në fuqi.
Por, lidhur me deklratën e O’Brien, sot kreu i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti tha se marrëdhëniet mes dy vendeve vazhdojnë të jenë të mira.
Kurti potencoi se Kosova nuk ka partner më të rëndësishëm se ShBA-ja, por shtoi se kushtetutshmëria dhe ligjshmëria janë prioritet i kësaj qeverie, dhe se kjo e fundit nuk u mbivendoset institucioneve të pavarura, në këtë rast BQK-së.
“Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm sikurse SHBA-të, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër i Kosovës. Banka Qendrore e Kosovës ka prezantuar një plan 10-pikësh për zbatimin e rregullores së saj. Ne jemi Republikë demokratike, Qeveria nuk u mbivendoset institucioneve të pavarura siç është BQK-ja dhe në mesin e këtyre 10 pikave si plan pune për zbatimin e rregullores, BQK nuk ka paraparë asnjë masë ndëshkuese. Pra pa ndëshkim dhe pa incidente duam të ecim përpara. Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria janë prioritet i yni, por njëkohësisht ne kujdesemi edhe paqe e siguri, kujdesemi edhe për mirëqenien e qytetarëve serbë”, tha Kurti gjatë ditës së djeshme./Reporteri