Një formë e re dhe e rrezikshme e diabetit është zbuluar nga ekspertët amerikanë, duke hapur një kapitull të ri në trajtimin e kësaj sëmundjeje. I quajtur diabeti i tipit 5, ai prek kryesisht të rinj dhe adoleshentë të dobët, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta, dhe shkaktohet nga kequshqyerja.
Studimi është kryer nga Albert Einstein College of Medicine në New York, nën drejtimin e profesoreshës Meredith Hawkins, dhe u prezantua në Kongresin Botëror të Diabetit në Tajlandë. Sipas saj, të rinjtë me predispozitë gjenetike që vuajnë nga mungesa e ushqimit humbasin aftësinë për të prodhuar insulinë, por trupi i tyre nuk reagon ndaj trajtimit tradicional me insulinë, që në disa raste përkeqëson gjendjen.
“Mjekët në shumë vende po hasin pacientë të rinj, shumë të dobët, që nuk përmirësohen me insulinë. Ky është një lloj diabeti krejt i ndryshëm nga ato që njohim deri tani,” tha Hawkins.
Diabeti i tipit 5 është përmendur për herë të parë në vitin 1955 në Jamaikë dhe më pas nga OBSH në vitin 1985 si “diabet i lidhur me kequshqyerjen”. Por për shkak të mungesës së provave, ai nuk është trajtuar seriozisht për dekada. Zbulimi i fundit i jep rëndësi të re kësaj forme të sëmundjes dhe shton thirrjet për më shumë kërkime dhe ndihmë për vendet në zhvillim.