Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri për bizneset. Marketet në Kosovë janë shumë shpesh cak i hajnave, të cilët herë vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje, duke kapur qoftë para apo edhe gjësende ushqimore, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur edhe së fundmi në marketin “Market Vlera” në Suharekë, ku dy persona në bashkëkryerje kanë kryer vjedhje të rëndë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për A.E., 32-vjeçar dhe N.Sh., 24-vjeçar, të cilët janë identifikuar nga kamerat e sigurisë.
Dy të rinjtë janë arrestuar gjatë ditës së djeshme, ku fillimisht njëri ra në prangat e Policisë, por pas një periudhe të shkurtër është kapur edhe i dyshuari i dytë. Pas shoqërimit në stacion policor, dy të dyshuarit e kanë pranuar veprën për të cilën ngarkohen.
Sinjali mëson se ndaj tyre, pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar caktimin e masës së ndalimit policor dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor. Të njëjtit do të hetohen për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.