Zbulim i madh në luftën kundër kancerit të pankreasit: Tumoret zhduken plotësisht në laborator me një terapi të trefishtë

0
54

Shkencëtarët kanë hedhur një hap të rëndësishëm drejt trajtimit të kancerit të pankreasit, pasi një studim i ri ka treguar se një terapi eksperimentale me tre barna ka arritur të eliminojë plotësisht sëmundjen në modele laboratorike.

Ekipi hulumtues nga Qendra Kombëtare Spanjolle për Kërkime mbi Kancerin (CNIO) zhvilloi një trajtim të ri që zhduku të gjitha tumoret e pankreasit te minjtë. Gjetjet u publikuan në revistën prestigjioze shkencore PNAS.

Sipas studimit, terapia synon një mutacion të gjenit KRAS, i cili gjendet në rreth 90 për qind të rasteve të kancerit të pankreasit. Ky mutacion shndërron gjenin në një onkogjen – një formë që nxit rritjen dhe ndarjen e pakontrolluar të qelizave, duke çuar në zhvillimin e kancerit.

Historikisht, KRAS ka qenë jashtëzakonisht i vështirë për t’u trajtuar. Edhe kur barnat kanë arritur ta bllokojnë përkohësisht, qelizat kancerogjene kanë gjetur mënyra alternative për të mbijetuar dhe për t’u përhapur.

Pse funksionon terapia e re?

Ndryshe nga qasjet e mëparshme që mbështeteshin në një ilaç të vetëm, trajtimi i ri kombinon tre barna të ndryshme, të cilat bllokojnë njëkohësisht tre “rrugë mbijetese” të kancerit. Kjo e bën shumë më të vështirë për tumoret që të rriten ose të zhvillojnë rezistencë ndaj trajtimit.

Sipas studiuesve, kjo tregon se kanceri i pankreasit ka shumë gjasa të kërkojë trajtime të kombinuara, dhe jo terapi të bazuara në një medikament të vetëm.

Studimi, i udhëhequr nga profesori i njohur Dr. Mariano Barbacid, u testua në tre modele të ndryshme minjsh:

– minj të modifikuar gjenetikisht për të zhvilluar kancer pankreatik,

– minj me inde njerëzore të kancerit të pankreasit të implantuara,

– dhe minj me qeliza kanceroze të implantuar drejtpërdrejt në pankreas.

Në të gjitha rastet, terapia trefishe eliminoi qelizat kancerogjene, çka i bëri autorët e studimit të përfundojnë se rezultatet janë mjaftueshëm të forta për të shërbyer si bazë për prova klinike te njerëzit.

“Nëpërmjet këtyre studimeve hapet rruga për zhvillimin e terapive të reja të kombinuara që mund të përmirësojnë mbijetesën e pacientëve me adenokarcinomë duktale pankreatike,” shkruajnë autorët. “Këto rezultate ofrojnë një bazë të qartë për prova të reja klinike.”

Kujdes me interpretimin e rezultateve

Megjithatë, studiuesit theksojnë edhe kufizimet e studimit: minjtë ishin përgjithësisht të rinj dhe të shëndetshëm, ndryshe nga shumë pacientë njerëzorë, dhe rezultatet janë vërejtur vetëm te kafshët, jo te njerëzit.

Pavarësisht kësaj, zbulimi po konsiderohet shumë premtues, si nga komuniteti shkencor ashtu edhe nga autoritetet spanjolle. Ambasada e Spanjës në Mbretërinë e Bashkuar e quajti arritjen “zhdukje të plotë dhe të qëndrueshme të kancerit të pankreasit në modele eksperimentale”, duke theksuar se ajo mund të bëjë një ndryshim real në luftën kundër kësaj sëmundjeje.

Një nga kanceret më vdekjeprurëse

Aktualisht, kanceri i pankreasit konsiderohet i pashërueshëm. Më pak se 11 për qind e pacientëve jetojnë më shumë se pesë vjet pas diagnozës, ndërsa shumë prej tyre humbin jetën brenda muajve të parë.

Sëmundja është veçanërisht agresive sepse përhapet shpejt në organe të tjera, bllokon kanalet biliare dhe të zorrëve, dhe dëmton funksionet jetike. Për më tepër, pankreasi luan rol kyç në tretje dhe në prodhimin e hormoneve si insulina, ndaj dëmtimi i tij çon edhe në çrregullime të rënda të sheqerit në gjak.

Simptomat më të zakonshme përfshijnë verdhëzën, humbjen e oreksit dhe peshës, lodhjen, temperaturën, të përzierat, diarrenë dhe kapsllëkun – shpesh kur sëmundja është tashmë në fazë të avancuar.

Në Mbretërinë e Bashkuar, rreth 10,500 persona diagnostikohen çdo vit me kancer pankreatik dhe mbi gjysma e tyre vdesin brenda tre muajve. Aktualisht nuk ekzistojnë teste për zbulim të hershëm, dhe rreth 80 për qind e rasteve zbulohen kur trajtimi shpëtues nuk është më i mundur. /GazetaExpress/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here