Më shumë e 100 shtetas të huaj, shumica e të cilëve të Serbisë, i kanë regjistruar adresat e tyre të qëndrimit në Kosovë, në përputhje me Ligjin për të huajt deri të martën pasdite, në dy ditët e para të zbatimit me lehtësira, kanë bërë të ditur burime të KOHËS.
Me ndërmjetësimin e BE-së, Qeveria është pajtuar që zbatimi i Ligjit për të huaj të bëhet me lehtësira për komunitetin serb. Bazuar në to, studentëve dhe punëtorëve do t’u ofrohet leje e përkohshme e qëndrimit me afat 12 mujor. Krahas kësaj, edhe përgjatë tre muajve, Qeveria t’i njohë dokumentet e identifikimit të lëshuara nga strukturat paralele serbe.
Ligji ka hyrë në fuqi që nga e diela, një ditë pasi Qeveria, me kërkesë nga Bashkimi Evropian, është pajtuar që t’u ofrojë lehtësira qytetarëve serbë.
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë konfirmuar se shtetas të huaj kanë nisur regjistrimin e adresave.
“Procesi i deklarimit të adresës në mënyrë elektronike për shtetasit e huaj ka filluar dhe tashmë ka persona që kanë kryer regjistrimin përmes aplikacionit apo webfaqes së Policisë së Kosovës, ose në stacionin më të afërt policor, në përputhje me detyrimet ligjore për regjistrimin e adresës brenda afatit prej tri ditësh nga momenti i hyrjes në Republikën e Kosovës. Procesi po zhvillohet normalisht dhe sistemi është funksional për të gjithë shtetasit e huaj që hyjnë në Republikën e Kosovës”, ka bërë të ditur MPB-ja.
Në këtë Ministri nuk e kanë bërë të ditur numrin e personave të regjistruar, por kanë thënë se po punohet në rregullimin e aplikacionit edhe për telefona mobilë me sistem operativ IOS.
“MPB i ka bërë të gjitha planifikimet e nevojshme për aplikacionin në dy sistemet operative. Sa i përket platformës telefonike iOS, ajo ka disa politika të veta për konfirmime, por sipas informacioneve që kemi, shumë shpejt edhe në iOS do të mundësohet deklarimi i adresës për shtetasit e huaj”, ka njoftuar kjo ministri.
Bashkë me Ligjin për të huajt, në fuqi ka hyrë edhe ai për automjete i cili gjithashtu përcakton se veturat me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në trafik në Kosovë për më shumë se tre muaj.














































