Ish-komandanti i UÇK-së, Zafir Berisha, ka kujtuar me nderim të thellë dëshmorët e rënë në betejën heroike të fshatrave Buçe dhe Brezne të Opojës, me rastin e 27-vjetorit të sakrificës së tyre.
Përmes një postimi në Facebook, Berisha ka përkujtuar me krenari bijtë e kombit që ranë për lirinë e atdheut, duke theksuar se heroizmi dhe gjaku i tyre do të mbeten përjetësisht të gdhendur në kujtesën tonë kolektive.
“Me 28 korrik 1998, duke u kthyer nga Shqipëria, një grup prej 63 luftetarëve që kishin qenë për armatim, bie në pritë të forcave serbe ku në luftimet e ashpra që u zhvilluan në fshatin Buçe dhe mbi fshatin Brezne, bien heroikisht dy luftëtarët e UÇK-së, Beamir Memaj dhe Nexhat Fanaj.
Në mesin e humbjeve nga armiku, në betejën e fshatit Buçe, la kockat oficeri i lartë i ushtrisë serbe Deliq, si dhe u plagos rëndë kryemilici i policisë së Serbisë në komunën e Dragashit.
Rënia në krye të detyrës së dy luftetarëve trima të UÇK-së si dhe plagosja e 4 të tjerëve, për ne ishte një humbje e madhe, sepse humbëm dy ushtarët trima, të cilët ishin në krye të detyrës për furnizimin e ushtarëve të UÇK-së me armatim nga Shqipëria.
Nexhati ishte nga ata mërgimtar që e kishte lënë Zvicrën dhe kishte ardhë për me luftu për lirinë e vendit, derisa familjen e kishte lënë atje, kurse Beamiri ishte nga ata djem të ri nga Zhuri i cili kishte ardhë vullnetar në UÇK, dhe ishte me mision në njësinë për furnizim me armatim.
Rënia e këtyre dy trimave edhe pse ishte humbje e madhe për ne, lufta dhe furnizimi me armë ka vazhduar.
Në nxjerrjen e ushtarëve nga rrethimi dhe të plagosurve në Buçe dhe në malet e Breznes, u shkojmë në ndihmë me një pjesë të kompanisë së fshatit Kushtrim dhe Poslisht, mbasi ishte pozicionim më i afërt i UÇK-së me fushëbetejën nga ku i terhekëm ushtarë e të plagosur Sami Berisha nga Lezi, Albrim Krasniqi nga Vlashnja, Shasivar Ajazaj nga Zhuri, derisa Ismet Zymberi nga Tusuzi ndihmohet nga djemtë e Zhurit.
Në këtë aksion kanë qenë edhe Policia Ushtarake me Salajdin Berishën në krye, si dhe Ekrem Rexhën – komandant Drinin, i cili pas ofensivës së 16 korrikut të vitit 1998 ishte vendosur në Shtabin Lokal të UÇK-së në Vërri dhe kishte detyrën e shefit të operativës së shtabit, i cili ishte edhe pjesë e operacionit për nxjerrjen e dy kufomave të dëshmorëve në luftimet e Buçes dhe Breznes dhe të plagosurve, ku ishte edhe një pjesë e komandës së Shtabit Lokal dhe një pjesë e Batalionit të Parë dhe Dytë si dhe komplet Policia Ushtarake, si dhe Xhevat Berisha komandant në ZKZ, i shoqëruar nga luftëtarët e Vërmicës dhe Zhurit, që u angazhuan për tërheqjen e kufomës së luftëtarit Nexhat Fanaj nga fushëbeteja.
Vlen të theksohet kontributi i madhë i banorëve të këtyre dy fshtarve (Buçe dhe Brezne) për t’i dalë në ndihmë luftëtarëve të lirisë dhe të plagosurve në këtë betejë. Lufta për lirinë e Kosovës vazhdoi me shumë beteja kundër okupatorit serb deri me 12.06.1999, ku përfundimisht iu dha fund sundimit serb në tokat tona”, ka shkruar Berisha./04 Online