Kryetari i Bashkimit Demokratik në Prizren, Zafir Berisha, ka ngritur sërish alarmin për përhapjen masive të propagandës dhe manipulimit psikologjik në rrjetet sociale. Ai thotë se qindra mijëra profile të rreme, të koordinuara nga qendra të ndryshme, po synojnë destabilizimin politik dhe ekonomik të vendit, shkruan 04 Online.
Sipas Berishës, fushata të tilla zhvillohen kryesisht në Facebook, TikTok dhe Instagram, duke ndikuar te qytetarët me mendim kritik të dobët dhe tek ata që e kanë rrjetin social si burimin kryesor të informacionit.
Ai paralajmëron se pas një pjese të këtyre operacioneve dyshohet të qëndrojnë qendra të spiunazhit rus në Nish të Serbisë, të cilat aktivizohen sidomos gjatë periudhave zgjedhore. Sipas tij, situatën po e rëndojnë edhe disa politikanë dhe parti që pa vetëdije kontribuojnë në përhapjen e kësaj propagande.
Reagimi i plotë i Zafir Berishës
Qindra mijëra profile të rreme në rrjetet sociale, të dirigjuara nga qendra të ndryshme që synojnë destabilizimin e vendit tonë, po vazhdojnë të veprojnë duke krijuar opinione të shtrembëruara për persona dhe subjekte politike të caktuara.
Kjo formë “lufte” nëpër rrjetet sociale, veçanërisht në “Facebook”, “TikTok” dhe “Instagram”, po ndikon fuqishëm te pjesa e shoqërisë që ka mendim kritik të kufizuar (analfabetë funksional) , si dhe te ata që jetojnë larg realitetit dhe të vërtetës, duke i pasur rrjetet sociale si burimin kryesor të informacionit.
Qëllimi i këtyre veprimeve është krijimi i pasigurisë politike dhe ekonomike, si dhe dobësimi i institucioneve të vendit duke i bërë ato të paqëndrueshme dhe të pabesueshme.
Misioni i akterëve që synojnë të krijojnë amulli dhe pasiguri në Kosovë, një pjesë e të cilëve dyshohet se dirigjohen dhe financohen nga qendra të spiunazhit rus në Nish të Serbisë, po rrit intensitetin veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore, situatë të cilës po i kontribuojnë, me vetëdije ose pa vetëdije, edhe disa politikanë dhe parti politike.
Kjo gjendje e krijuar, përveç se e rëndon situatën politike dhe të sigurisë në vend, rrezikon të shkaktojë pasoja afatgjata në stabilitetin e shoqërisë sonë.
Lloji i luftës propagandistike e psikologjike që po përdoret po krijon një krizë të thellë morale, krizë me të cilën nuk kanë mundur të përballen as shoqëritë më të konsoliduara.
Është koha t’i kthehemi arsyes dhe vigjilencës, para se të jetë tepër vonë!














































