Mbrojtësi i Arsenalit, Cristhian Mosquera, po konsideron të ndryshojë kombësinë nga Spanja, pasi i është premtuar një vend në një tjetër përfaqësuese që do të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026 në Amerikën e Veriut.
Mosquera, i lindur në qytetin Alicante, ka përfaqësuar kombëtaren spanjolle në nivele të ndryshme të moshave, por ende nuk ka debutuar me ekipin e parë.
Me Kupën e Botës që po afron, 21-vjeçari po shqyrton mundësinë për të përfaqësuar një kombëtare tjetër. Ai ka qenë pjesë e ekipeve U15, U16, U18, U19 dhe U21 të Spanjës, por nuk ka marrë ende ftesë nga trajneri Luis De La Fuente për skuadrën e parë.
Mosquera dëshiron me çdo kusht të jetë pjesë e turneut të madh që do të zhvillohet në Amerikën e Veriut vitin e ardhshëm, por aktualisht renditet pas Dean Huijsen, Robin Le Normand dhe Pau Cubarsi në hierarkinë e mbrojtësve të “Furisë së Kuqe”.
Megjithatë, dëshira e tij mund të bëhet realitet. Sipas gazetës Diario AS, Kolumbia po përpiqet ta bindë mbrojtësin që të përfaqësojë kombëtaren e tyre.
Prindërit e yllit të Arsenalit janë me origjinë nga Amerika e Jugut, ndërsa ai vetë zotëron pasaportë kolumbiane.
Raportimet bëjnë të ditur se kombëtarja e CONMEBOL-it i ka garantuar Mosqueras një vend në skuadër për Kupën e Botës 2026, gjë që mund ta shtyjë 21-vjeçarin të ndryshojë kombësinë.
Në vitin 2023, Kolumbia kishte bërë përpjekje të ngjashme për ta bindur, por atëherë Mosquera ishte i vendosur të përfaqësonte Spanjën, pasi sapo ishte emëruar kapiten i ekipit U-21.