Ish-kapiteni i Arsenalit, Granit Xhaka, ka folur për vendimin për t’u larguar nga skuadra e “revolveristëve”, ndërsa ka thurur lavde për trajnerin Mikel Arteta.
Mesfushori ishte përballur me telashe të shumta me tifozët e skuadrës së tij gjatë një periudhe në klub, por më pas ishte bërë prej lojtarëve më të rëndësishëm.
Në një intervistë dhënë për mediumit spanjoll “Marca” të shtunën, Xhaka ka treguar për vendimin e vështirë për t’u larguar nga Arsenali. Por e ka pranuar se ka dashur të ketë një kaptinë të re në karrierën e tij.
“Kam kaluar shtatë vjetë të shkëlqyer tek Arsenali, nuk kam dashur të luajë kundër asaj skuadre. Nuk ishte e lehtë për mua të largohem nga klubi apo për klubin të më linte të largohesha. Kam ndjerë dashuri dhe respekt nga Edu dhe Arteta, por doja që të kisha një sfidë të re te Bayer Leverkuseni”, ka deklaruar Xhaka.
Futbollisti shqiptar që përfaqëson Zvicrën, ka treguar për marrëdhënien e tij me teknikun spanjoll të Arsenalit. Për të ka thënë se ka shumë ngjashmëri me teknikun tjetër spanjoll, Xabi Alonso, me të cilin punon te Leverkuseni.
“Ata kanë filozofi të ngjashme”, ka thënë Xhaka.
“Mikeli është i jashtëzakonshëm, jo vetëm si trajner, dhe mendoj se Xabi është në të njëjtën linjë. Ata e shohin futbollin shumë ndryshe nga trajnerët që kam pasur në të kaluarën”, ka nënvizuar Xhaka.
Xhaka shpreson që të jetë i rëndësishëm për mesfushën e skuadrës nga Bundesliga. Të udhëhequrit e Alonsos përfunduan në pozitën e gjashtë në edicionin e kaluar.
Arsenali e zëvendësoi Xhakën me mesfushorin Declan Rice, që u transferua nga West Ham Unitedi për 116 milionë euro. Arsenali ka transferuar edhe Kai Havertsin, ish-futbollistin e Leverkusenit./Koha