Manchester City-Arsenal është padyshim ndeshja e sezonit për të dyja skuadrat e Premier League. Verdikti i së mërkurës mbrëma me shumë mundësi do të paracaktojë edhe fituesin e kampionatit më të fortë në Europë teksa për momentin The Gunners i gëzohen një avantazhi me pesë pikë nga The Citizens, me këta të fundit që kanë dy ndeshje më pak në kalendar. Në këtë formë, për Arsenal nuk ka rrugë të mesme dhe i duhen vetëm tre pikët për të qëndruar të qetë.
Në konferencën për shtyp, trajneri Mikel Arteta i pyetur rreth strategjisë për të ndalur fenomenin Erling Haaland u shpreh se nuk ekziston një formulë fikse, por që të tijtë duhet të mos e lejojë të prek topin. Nga ana tjetër, spanjolli konfirmoi mungesën e mbrojtësit William Saliba të dëmtuar ndërsa tha se Granit Xhaka (nuk luajti as ndaj Southampton për arsye shëndetësore) mbetet në dyshim.
“Saliba nuk është përmirësuar, mbetemi në pritje. Por, për momentin nuk është në gjendje për të luajtur, por e përgatisim këtë ndeshje pa atë. Sa i takon Xhakës, edhe ai mbetet në pikëpyetje. Për ne do të ishte një mungesë e rëndësishme.
City? Për mua kjo nuk është ndeshja që vendos sezonin, por është një sfidë dhe është nga ato sfidat e vështira që mua më pëlqejnë. Do të luajmë në fushën e tyre, por do të mundohemi të fitojmë. Nëse duam të jemi kampionë, atëherë duhet t’i mundim të gjithë. Le të mbetemi të fokusuar tek fuqitë tona dhe t’iu shkaktojmë atyre probleme.
Nuk mund t’iu lejojmë hapësira sepse skuadrat e mëdha të ndëshkojnë në rastin e parë. Por, po punojmë në lidhje me pikat e tyre të dobta dhe të forta. E dimë se kush janë dhe skuadra e Manchester Cityt nis që nga portieri, na duhet të jemi shumë të fokusuar dhe t’iu përshtatemi.
Haaland? Nuk e krahasoj me askënd, ai të bën dëm sepse është një sistem i gjithë që është në funksion të tijin. Ka shumë lojtarë të mirë që e rrethojnë dhe mënyra më e mirë për ta ndalur është që të mos lejojmë të shërbehet nga shokët e skuadrës.
Ndeshjen mes Manchester City dhe Arsenal mund ta ndiqni të mërkurën duke nisur nga ora 21:00.