Ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark, ka thënë se Kosova duhet ta forcojë sovranitetin e saj dhe ta kontrollojë pjesën veriore. Sipas tij, përveç çështjes së targave, ka edhe mënyra tjera për ta treguar sovranitetin.
“Situata mes Kosovës dhe Serbisë është më ndryshe. Ajo që dua të them është se Kosova duhet ta forcojë sovranitetin e saj dhe ta kontrollojë pjesën veriore të vendit. Çështja e targave është një shembull i mirë për të treguar sovranitet, por ka edhe metoda të tjera që mund të përdoren. Ndërsa në Beograd, kemi një ambasador të madh, ai është Christopher Hill, i cili e kupton shumë mirë situatën. Ai ishte ambasador edhe në Maqedoni gjatë kohës së luftës 1998-1999. Ai është në vendin dhe momentin e duhur”, tha ai për Tëvë1.
Po ashtu, Clark tha se dialogu Kosovë – Serbi duhet të ketë vazhdimësi, pasi siç tha ai, kjo do jetë në interesin e qytetarëve të Kosovës.
Se a ka rrezik për ndonjë luftë, Clark tha se duke ditur kapacitetet e NATO-s kjo nuk e shqetëson aspak.
“Gjithashtu edhe në Kosovë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë emëruar një ambasador të mirë. Pra situata është më e sigurt në Kosovë, duke konsideruar edhe rolin e KFOR-it. Duhet të vazhdojë dialogu me Serbinë, edhe nëse ka shumë dallime e probleme. Kjo është edhe në interesin e qytetarëve të Kosovës. Nuk jam shumë i shqetësuar për Ballkanin, sepse e di që NATO është aty për të intervenuar shpejtë nëse shkaktohen trazira. Fjalët për luftë nuk më shqetësojnë, sepse i di kapacitetet e NATO-s”, deklaroi Clark.
“Padyshim që Kosova një ditë do të bëhet anëtare e NATO-s”, theksoi tutje Clark./Sinjali