Eksperti për Ballkanin, Bodo Weber, ka folur lidhur me propozimin evropian i cili u bë publik për herë të parë të hënën, pasi përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë pajtuar me përmbajtjen e një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk e nënshkruan atë, raporton Gazeta Sinjali.
Weber në një intervistë për REL-in, ka thënë se është e vështirë të vlerësohet se kush do të përfitojë në fund, për shkak të karakterit të kësaj marrëveshjeje.
“Po, teksti është publikuar. Është pak a shumë identik me versionet e mëparshme që kanë dalë, me përjashtim të disa detajeve që janë interesante. Është e vështirë të vlerësohet se kush do të përfitojë në fund, për shkak të karakterit të kësaj marrëveshjeje. Kjo është një formë e marrëveshjes së ndërmjetme. Është një largim nga plani dhe qasja e mëparshme e BE-së dhe e SHBA-së për të negociuar drejtpërdrejt për një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse”, ka thënë ai.
Tutje Weber ka thënë se ka disa elemente, veçanërisht në nenin 6, për vazhdimin [e dialogut] që duhet të çojë në zgjidhjen e mëtejme të çështjeve të pazgjidhura, çështjeve të mbetura – përfshirë çështjet dypalëshe – dhe që duhet të çojë në një marrëveshje përfundimtare ligjërisht të obligueshme.
“Pra, është shumë e vështirë të kesh vërtet besim se kjo marrëveshje e përkohshme do të nënkuptojë me të vërtetë një përparim të madh dhe përfundimisht do të çojë në një marrëveshje përfundimtare, e cila do të përfshinte njohjen zyrtare ligjore të Kosovës nga Serbia. Pra, pyetja është: [çfarë do të ndodhë] në rast se kjo nuk do të çojë në pikën përfundimtare të synuar? Duhet të rikujtojmë se një qasje e tillë ka qenë në thelb të dialogut fillestar politik më 2012 -2013. Por, BE-ja dhe SHBA-ja, në atë kohë, kanë demonstruar se nuk kanë vullnet politik dhe kapacitete për të udhëhequr një proces kaq afatgjatë. Dhe palët lokale [Kosova dhe Serbia], në fund, e kanë shfrytëzuar boshllëkun strategjik, për ta minuar dhe përmbysur procesin dhe për ta bërë atë të funksionojë për to, por jo për ta bërë atë të funksionojë në drejtim të një zgjidhjeje të qëndrueshme. Pra, në këtë drejtim, nëse ky proces nuk do të çojë në një zgjidhje të qëndrueshme, atëherë patjetër do të jetë Beogradi ai që do të përfitojë në afat të gjatë, duke manovruar BE-në dhe SHBA-në në një afat më të gjatë”, ka thënë tutje ai.
Propozimi i BE-së, i titulluar Marrëveshje drejt normalizimit Kosovë-Serbi, kërkon mes tjerash që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të cilin Kosova, deri më tash, ka refuzuar ta themelojë.
Zyrtarë të BE-së, që ndërmjetësuan bisedimet, paralajmëruan takime të reja midis Kurtit dhe Vuçiqit për modalitetet e zbatimit të Marrëveshjes.