“Pse gjithë ky siklet me Qeverinë Kurti?!”, shkruan LVV në një postim në Facebook.
Sipas partisë në pushtet, “sulmet” ndaj Qeverisë për çështjen e ushqimit në Forcën e Sigurisë së Kosovës po bëhen për shkak të shpenzimeve për blerjen e armatimit.
“Vetëm 4 milionë euro i kanë shpenzuar për blerje të armatimit ata që sot kinse shqetësohen për Ushtrinë. Qeveria Kurti për 3 vjet e gjysmë ka shpenzuar rreth 250 milionë euro për blerje të sistemeve të armatimit”, shkruan LVV.
Partia e kryeministrit Albin Kurti, së fundmi i ka aktivizuar edhe ministrat dhe deputetët më të zëshëm për të reaguar ‘online’ pas valës së akuzave ndaj Qeverisë.
Një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit u mbajt të hënën për të diskutuar çështjen e furnizimit me ushqim të ushtarëve të FSK-së. Deputetët e pushtetit e bojkotuan.
Deputetët e PDK-së, LDK-së e AAK-së e akuzuan Qeverinë për korrupsion në Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa e konsideruan shqetësuese situatën në FSK. Seanca u ndërpre në mungesë kuorumi për ta votuar një rezolutë që kërkonte zgjidhjen e menjëhershme të këtij problemi dhe dorëheqjen e ministrit, zëvendësministrit dhe zyrtarëve të tjerë në Ministrinë e Mbrojtjes.