Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se në periudhën e ardhshme është e mundur që Rusia të përjashtohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, pas së cilës ekziston mundësia e ndryshimit të Rezolutës 1244 dhe njohjes së Kosovës nga vendet evropiane që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
“Është, sigurisht, ideja e lobistëve shqiptarë… Është e mundur apo jo, nëse mund të jem i hapur, nuk e përjashtoj fare këtë mundësi”, u tha Vuçiqi gazetarëve në Beograd, transmeton Zeri.info.
Ai tha se pret që Rusia të përjashtohet nga OKB-ja, e më pas Kinës t’i bëhet presion për të ndryshuar Rezolutën 1244. Pas kësaj, tha ai, Serbia nuk ka më bazë ligjore për t’u thirrur për të ruajtur integritetin e saj territorial, e më pas do të pasojë njohja e Kosovës nga vendet që nuk e kanë bërë këtë.
“Mendoj se ky është vetëm fillimi dhe këtë dua t’ua them qytetarëve të Serbisë. Presionet ndaj vendit tonë do të jenë të mëdha në periudhën e ardhshme”, tha Vuçiqi, raporton N1.
Presidenti serb tha se në periudhën e ardhshme pret “disa kurthe politike” për Serbinë, duke kujtuar se Kosova po kërkon anëtarësimin në NATO.
Vuçiqi ka konfirmuar se në seancën e sotme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Serbia i është bashkuar dënimit të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
“Teksti nuk përmend asnjë sanksion, por sigurisht që është shumë e rëndësishme nga ana jonë të dënojmë shembjen e integritetit territorial të çdo shteti anëtar (të OKB-së)”, tha ai.
Sipas tij, në 48 orët e fundit ka biseduar me zyrtarë nga SHBA-ja, BE-ja, Komisioni Evropian dhe Këshilli Evropian, Gjermania dhe Franca.
“Serbia po përballet me presion të madh”, tha ai, dhe shtoi se situata është e tillë që “pak njerëz duan të dëgjojnë argumentin tuaj, pak janë të interesuar për atë që ka ndodhur në 1999”.
“Serbia është në një situatë jashtëzakonisht të vështirë dhe sot, më pak se kurrë, ka më pak mirëkuptim për pozicionin e Serbisë dhe popullit tonë kudo në botë”, tha Vuçiqi.
Ai ka vlerësuar se e gjithë bota është bërë ndryshe për vetëm tre, katër apo pesë ditë dhe se “fjalë për fjalë asgjë nuk është më njësoj”, sepse në skenën politike botërore kanë ndodhur ndryshime tektonike. /Zëri