Vuçiq: Serbia s’do të çojë forca ushtarake në Kosovë

0
198

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk ka qëllim që të urdhërojë futjen e forcave ushtarake të Serbisë brenda territorit të Kosovës, pavarësisht paralajmërimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për lëvizje “të paprecedentë” nga Beogradi.

Në një deklaratë për “Financial Times” të shtunën, Vuçiqi ka thënë se “do t’i tërheqë forcat serbe nga ajo pjesë sepse përshkallëzimi i konfliktit do të ishte kundërproduktiv për aspiratat evropiane të Beogradit”.

“Përse do të ishte e favorshme kjo për Beogradin?” ka thënë Vuçiqi. “Cili do të ishte qëllimi? Të shkatërrojmë pozicionin që kemi krijuar për një vit? Ta shkatërrojmë në një ditë? Serbia nuk dëshiron luftë”.

Të premten, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u shprehën se janë duke përcjellë me vëmendje “lëvizjen e paprecedentë të artilerisë, tankeve e njësive të tjera ushtarake serbe” përgjatë kufirit me Kosovën duke e cilësuar lëvizjen si “shumë destabilizuese”.

Megjithatë, sipas Vuçiqit, numri i forcave serbe në terren “është në rënie”.

“Vitin e kaluar kemi pasur 14 mijë trupa pranë vijës administrative, sot kemi 7500 dhe do ta reduktojmë numrin në 4 mijë”, ka thënë ai. “Dërgimi i trupave serbe në vijën administrative është rrenë e pastër… Serbia nuk do të përfitonte nga kjo sepse do ta rrezikonte pozicionin e saj në bisedimet e sponsorizuara nga BE-ja me Prishtinën”.

Situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur serb, ku si pasojë mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

Në aksionin në Banjskë të Zveçanit, nga përleshja e armatosur me Policinë kanë mbetur të vrarë tre terroristë, teksa janë arrestuar tetë prej tyre.

Të premten, përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

NATO-ja ka shtuar forcat në veri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here