Vuçiq këmbëngul: Ose të formohet Asociacioni ose vetëm mund t’iu them faleminderit

0
209

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është deklaruar vetëm pak ditë para takimit me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel.

Vuçiq është shprehur i prerë, teksa ka thënë se duhet me doemos të zgjidhet çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Të gjithë e dinë se thelbi është Asociacioni i komunave me shumicë serbe – ose do ta zgjidhni problemin e Asociacionit ose vetëm mund të ju them faleminderit, kaq”, ka thënë Vuçiq.

I pyetur nëse duhet zyrtarizuar me shkrim pranimi i propozimit të Bashkimit Evropian, Vuçiq thotë Serbia mbetet në vijat e kuqe rreth çështjes së Kosovës.

Ai thotë se Serbia do t’i përmbahet asaj për të cilën foli në seancën e këtij muaji të Kuvendit të Serbisë për Kosovën “pa marrë parasysh çfarë dhe sido që të jetë”.

Në anën tjetër, kryeministri Kurti këtë javë duke folur për çështjen e Asociacionit, tha shpreson që diskutimet të jenë të fokusuara tek nisa franko-gjermane, dhe jo tek “interesat e njërës palë”.

“Në kemi propozimin me iniciativën franko gjermane. Ne presim që të ketë diskutime dhe të ecim përpara në bazën e atij diskutimi. Jo pak varet nga fascilituesit apo ndërmjetësuesit pas ditës së hënë e dimë”- ka thënë Kurti.

Bashkimi Evropian gjatë ditës së djeshme ka bërë të ditur agjendën e takimit në Bruksel.

Siç bëhet e ditur në faqen zyrtare të Zyrës për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell dhe Miroslav Lajçak fillimisht do të zhvillojnë takime të ndara me Kurtin e Vuçiqin. Këto takime do të fillojnë në orën 15:00.

Ndërsa, pas kësaj do të ketë një takim të përbashkët.

“Në takim do të diskutohet për propozimin e BE-së për normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Brukselit.

Në fund të takimit bëhet e ditur se do të ketë deklaratë për media nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell.

Pjesëmarrjen në takim e kanë konfirmuar edhe Kurti edhe Vuçiq.

Ndryshe, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, ka thënë se shpreson që Kosova dhe Serbia të pranojnë propozimin evropian, si rrugë për normalizim të marrëdhënieve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here