“Vuçiq ik”, protestë masive në Beograd, studentëve u bashkohen edhe fermerë e artistë

0
76

Dhjetëra mijëra serbë u mblodhën sërish sot në Beograd, me ftesë të studentëve, për të protestuar. “Vuçiq ik” ishte thirrja kryesore.

Revolta e studentëve në Serbi, një nga më të mëdhatë në dekadat e fundit, filloi me bllokimin e Fakultetit të Arteve Dramatike në kryeqytetin serb dhe më pas u përhap në më shumë se 50 fakultete të tjera në të gjithë vendin.

Këtë 22 dhjetor, studentët morën edhe më shumë mbështetje. Atyre iu bashkuan fermerë, punonjës të shëndetësisë, artistë, por edhe banorë të Beogradit dhe qyteteve përreth.

Pakënaqësia e studentëve u përhap me vrull në të gjithë Serbinë dhe është ndier edhe në shumë shkolla të mesme, maturantët e të cilave kanë bojkotuar mësimin derisa të plotësohen kërkesat e tyre.

Shkollat ​​në të gjithë Serbinë do të mbyllen për pushimet dimërore një javë më herët se sa ishte planifikuar këtë vit, pasi qeveria e presidentit nacionalist, Aleksandar Vuçiq, kërkon t’i ndalë protestat kundër korrupsionit.

Studentët kërkojnë të përcaktohet përgjegjësia dhe të ndiqen penalisht ata që janë fajtorë për aksidentin në stacionin hekurudhor në Novi Sad, ku ra një strehë dhe mbyti 15 persona, si dhe të publikohet i gjithë dokumentacioni për rikonstruksionin e atij stacioni. Një nga kërkesat është gjithashtu gjetja e autorëve të sulmeve ndaj studentëve dhe profesorëve gjatë protestave ku ata morën pjesë më herët./GS

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here