Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i është përgjigjur pozitivisht ftesës për takim urgjent në Bruksel, të thirrur nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, raporton Gazeta Sinjali.
Siç raporton mediumi serb RTS, Vuçiq ka deklaruar se do të shkojë në Bruksel, por nuk ka çfarë të diskutojë me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili po ashtu u ftua për takim nga Borrell me qëllim që të gjejnë një rrugëdalje për krizën aktuale.
“Biseda me të nuk ka kuptim, ai na jep leksione për filozofinë, pak për Demaçin, pak për Marksin dhe kaq. Gjithçka tjetër ka të bëjë me persekutimin e serbëve dhe ligjëratat për çështjet e brendshme politike në Serbinë qendrore“, ka thënë Vuçiq.
Ndryshe, Borrell ka theksuar nevojën urgjente për deeskalim të menjëhershëm dhe zgjedhje të reja në veri të Kosovës.
“I kam thirrur liderët e Serbisë dhe Kosovës në Bruksel për takime urgjente për të gjetur rrugën e daljes nga kriza aktuale. Ne kemi nevojë për deeskalim të menjëhershëm dhe zgjedhje të reja në veri me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës. Kjo është parësore për rajonin dhe BE-në”, ka shkruar Borrell.
Kujtojmë se kryeministri Kurti, tha mbrëmë se do të udhëtojë drejt Brukselit për të marrë pjesë në takimin e thirrur nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.
“Nesër do të udhëtoj nga Roma për në Bruksel, duke konfirmuar pjesëmarrjen time në dialogun e nivelit të lartë të thirrur nga përfaqësuesi i lartë Borrell. Do të insistoj në lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve [të Kosovës] që po mbahen peng nga Serbia, shtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve”, shkroi Kurti të mërkurën në Twitter.
Që nga fundi i majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën pasi pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve nga serbët lokalë.
Që atëherë, serbët lokalë kanë protestuar në veri, duke kundërshtuar kryetarët që u zgjodhën më 23 prill – zgjedhje që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.
Më 29 maj, protestat u përshkallëzuan në dhunë, me serbët që u përleshën në Zveçan me ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u përkeqësuan edhe më tej, pas rrëmbimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës. Serbia tha se ata “u arrestuan thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.
BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tri kërkesa sa i përket tensioneve: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve.
Kurti, ndërkaq, ka paraqitur një plan prej pesë pikash, që parasheh edhe mbajtjen e zgjedhje. Megjithatë, ai ka thënë se për t’u mbajtur zgjedhje të lira në veri, nevojitet shtet ligjor.