Vuçiq gati sanksionet për Rusinë, Serbia i kthen shpinën ‘vëllait të madh’ pas presionit

0
249

Mediat në Rusi kanë paralajmëruar zhvillime të bujshme. Marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë dhe BE-në kanë qenë shumë të përfolura këto kohë.

Beogradi është vënë nën presion nga perëndimi që të harmonizojë politikën e saj të jashtme me BE-në dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë ndërkohë që kjo e fundit e do Serbinë nën sferën e saj. Por, duket se Perëndimi ka fituar në këtë përballje pasi mediat ruse po paralajmërojnë ‘thyerjen’ e Vuçiqit për sa i takon sanksioneve mbi Rusinë.

Në disa artikuj të kohëve të fundit, mediat ruse shkruajnë se Vuçiq do të nisë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë pas presionit të fortë të perëndimit dhe se ai ka dhënë tashmë udhëzime për të minimizuar lidhjet zyrtare me Moskën.

Është paralajmëruar se në mars do të vendoset regjimi i vizave për qytetarët rusë, ndërsa kufizimet kryesore do të hyjnë në fuqi para verës.

Beogradi, sipas tyre, po përgatit paketën e parë dhe të dytë të sanksioneve por po përpiqet ti rregullojë në mënyrë që të shkaktojnë dëme minimale në ekonominë e vendit, raporton TCH.

“E respektoj Rusinë, por i shërbej Serbisë”, ka thënë Vuçiq dhe kjo deklaratë është cituar nga portalet e Moskës.

Serbia deri më tani i ka rezistuar thirrjeve të perëndimit dhe kjo ka acaruar jo pak anëtarë të BE-së. Edhe në Bruksel, duket se është krijuar tashmë përshtypja se Vuçiq është dorëzuar pasi siç ia kanë bërë të qartë jo pak zyrtarë të BE-së, në rast të kundërt do të përballej me bllokim të negociatave për anëtarësim.

Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, Perëndimi si asnjëherë më parë, i ka kthyer sytë nga Ballkani, për shkak të frikës së ndezjes së një tjetër konflikti atje, dhe në qendër të vëmendjes është Serbia dhe Kosova.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here