Në Gjykatën Themeloren në Prizren, të mërkurën, të akuzuarit Murat Ademi, Reshat Ademi, Resmije Bytyqi dhe Fadil Fetiu janë deklaruar të pafajshëm rreth akuzës për vrasjen e A.B në mënyrë mizore në Suharekë.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Genc Nixha, të akuzuarit Ademi, Bytyqi dhe Fetiu janë deklaruar të pafajshëm duke mohuar akuzat për të cilën ngarkohen.
Seanca ka vazhduar me fjalën hyrëse të palëve, me ç’rast prokurori Nixha ka thënë se në bazë të provave do të vërtetohet se të akuzuarit Ademi, e akuzuara Bytyqi pas marrëveshjes paraprake kanë vrarë në mënyrë mizore të ndjerin A.B.
Nixha tha se për të akuzuarin Fetiu gjatë shqyrtimit gjyqësor ka bërë ndryshimin e aktakuzës, ku i njëjti është akuzuar për veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë.
Përfaqësuesi i të dëmtuarit Avdi Bytyqi, avokat Blerim Mazreku në fjalën hyrëse ka thënë se parashtrojnë kërkesë pasurore juridike dhe ka shtuar se i dëmtuari tash e 6 vite po kërkon drejtësi për djalin e tij të masakruar.
Mazreku ka thënë se nga provat të cilat do të administrohen dhe nga dëgjimi i dëshmitarëve do të vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer veprat penale.
Të dëmtuarit Eleonit Bytyqi dhe Leonita Bytyqi në fjalët hyrëse të tyre kanë thënë se pajtohen me fjalët e prokurorit, se kërkojnë drejtësi dhe parashtrojnë kërkesë pasurore juridike.
Mbrojtësi i të akuzuarit Reshat Ademi avokat Arben Ramadani në fjalën hyrëse ka thënë se në aktakuzë asnjë përshkrim nuk ndërlidhet me veprimet, rolin dhe faktet se Reshat Ademi ka kryer veprën penale sipas aktakuzës.
Ramadani ka thënë se nga provat materiale të siguruara si transkripta e telefonatave dhe hartografisë së lëvizjes së të mbrojturit të tij shihet se i njëjti është i pafajshëm.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarës Bytyqi, avokat Durim Nevzati ka thënë se mbrojtjen do ta orienton pikërisht në dispozitivin e aktakuzës e cila është sugjeruar sipas gjykatës së Apelit që të përshkruhen veprimet inkriminuese për të mbrojturën e tij.
Nevzati ka thënë se gjatë shqyrtimit kryesor do të vërtetohet e kundërta e pretendimit të përshkruar të prokurorit të shtetit.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Fetiu, avokat Sefer Morina ka thënë se prokuroria ka bërë ndryshimin e aktakuzës me të cilën të mbrojturin e tij e ka ngarkuar me veprën penale të dhënies së ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.
Sipas Morinës kjo gjykatë dy herë radhazi ka vendosur me aktgjykim dënues ndaj të mbrojturit të tij, sipas tij mungesa e provave, shkelja e procedurës dhe mosvërtetimi i gjendjes faktike ka bërë që Apeli ta kthej këtë çështje në pikën zero.
Në fund, mbrojtësi të akuzuarit Murat Ademi, avokat Flurim Vertopi ka thënë se në këtë çështje penale tani është angazhuar si mbrojtës e për këtë ka kërkuar që fjalën hyrëse të tij ta jap në seancën e ardhshme duke kërkuar një afat kohor më të gjatë.
Po ashtu, Vertopi ka kërkuar transferimin e të mbrojturit të tij nga Qendra e Paraburgimit në Dyz në Qendrën e Paraburgimit në Prizren për arsye shëndetësore, mbrojtje efektive dhe gjykim të drejtë.
Kryetarit i trupit gjykues, gjykatësi Artan Sejrani ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit Vertopi për ndërprerjen e seancës dhe shtuar se do të bëjë verifikimin e gjendjes shëndetësore të akuzuarit Ademit nga Qendra e Paraburgimit në Dyz.
Seancat e radhës për këtë rast janë caktuar të mbahen më 16 dhe 21 mars 2023.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, Murat dhe Reshat Ademi, më 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore tani të ndjerin A.B, kurse Resmije Bytyqi akuzohet për shtytje në kryerjen e vrasjes./BetimipërDrejtësi/