Votimi në Parlamentin Europian për vizat javën tjetër

0
152

Procesi i stërzgjatur i liberalizimit të vizave për Kosovës është pothuajse në fazën e fundit. Parlamenti Europian ka planifikuar datën 18 prill për të votuar tekstin për të cilën u morën vesh vendet e BE’së.

Shtetet anëtare që hezitonin më shumë për të hequr izolimin u bindën që Kosova s’duhet të jetë shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që përballet me një regjim të tillë. Procesi u zhbllokua nga Këshilli i Ministrave të BE-së, e cila pasoi me hartimin e një teksti për të cilën ranë dakord shtetet anëtare.

Qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë lirshëm drejt BE-së nga 1 janari i vitit 2024. Në fillim, në marrëveshje si afat u caktua nëntori i 2023-ës, por kjo u kushtëzua nga Franca me funksionimin e sistemit ETIAS. Sidoqoftë, ky shans humbi meqë ETIAS do të vonohet.

Për çështjen e vizave të Kosovës, Parlamenti Europian pati edhe më parë në vitin 2018.

Pas votës në PE, janë edhe pesë hapa para se përfundimisht të hyjë në fuqi vendimi:

–              Ambasdorët e BE-së votojnë me shumicë të thjeshtë për liberalizimin e vizave

–              Këshilli i Ministrave të BE-së miraton me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave

–              Akti ligjor nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së, Komisioni Europian, Këshilli Europian dhe Parlamenti Europian

–              Vendimi publikohet në Gazetën Zyrtare, duke përfshirë datën e hyrjes në fuqi

–              Liberalizimi i vizave hyn në fuqi

Që nga viti 2018, Komisioni Europian pati deklaruar se Kosova ka përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave, megjithatë procesi nuk u çua më tej në hallkat tjera të BE-së. Për këtë arsye, ndër vitesh ka pasë zhgënjim te qytetarët, por me hapat aktualë të ndërmarrë nga institucionet e BE-së tashmë dhënia e fund e kësaj sage është reale.

Eurodeputeti holandez, Thjis Reuten, vendi i të cilit ishte ndër më skeptikët, u caktua raportues për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Europian. Në një prononcim për Express më herët, Reuten kishte thënë se më nuk do të ketë më ndryshime në përmbajtjen e marrëveshjes dhe se kjo nënkupton që liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi ose në të njëjtën kohë me ETIAS ose më së largu më 1 janar 2024.

“Kjo do të thotë që jo më larg se vitin e ardhshëm, Kosova përfundimisht do ta ketë udhëtimin e merituar dhe të vonuar pa viza në BE”.

Për këto zhvillime në BE, qeveritarët në Kosovë morën meritat. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se përmirësimi i sundimit të ligjit nga Qeveria Kurti është arsyeja.

“Tashmë jemi drejt përfundimit të suksesshëm të këtij procesi të tejzgjatur për qytetarët e Republikës së Kosovës. Sukseset e arritura nga Qeveria veçanërisht në sundim të ligjit, puna jonë e vazhdueshme me shtetet anëtare dhe mbështetja e partnerëve tanë strategjikë, ishin faktorë kryesorë në avancimin e këtij procesi që ishte bllokuar për vite me radhë”, kishte thënë ai pasi ambasadorët e BE-së e miratuan tekstin për vizat.

Për vonesën e BE-së kishte ironizuar edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, që pas miratimit nga ambasdorët e uroi edhe BE-në për këtë.

“Një hap i vonuar padrejtësisht me vite u hodh sot nga BE-ja, e cila më në fund po e heq nga vetja njollën e turpit të trajtimit të Kosovës si të ishte një vend jashtë Europës! Urime jo vetëm Kosovës, po edhe Bashkimit Europian”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here