Pas përparimit të Kosovës për 17 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon ka thënë se ky është një lajm i mirë.
Në një postim në Twitter, Von Cramon e ka quajtur si shpërblim të vogël për të gjithë në Kosovë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Me të vërtetë lajme të mira për Kosovën sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kosova ka lëvizur lartë për 17 vende në indeksin e perceptimit të korrupsionit. Shpërblim i vogël për të gjithë në Kosovë”, ka shkruar Von Cramon.
Kosova ka shënuar përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit, duke u vlerësuar me 39 pikë – tri më shumë sesa vitin e kaluar – në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, të përpiluar nga organizata ndërkombëtare, Transparency International.
Një vit më parë Kosova kishte 36 pikë. /Reporteri