Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian Viola von Cramon i ka thënë Deutsche Welle në gjuhën serbe se propozimi evropian për të cilin u dakorduan Kosova e Serbia se nuk ka më negociata rreth tij, mund t’i bindë shtetet e BE’së që s’e kanë njohur Kosovën ta bëjnë këtë.
Edhe pse ende mungon nënshkrimi final, kjo përbën një sukses të madh politik për BE’në por edhe për tërë rajonin” ka thënë Viola von Cramonduke i rikujtuar tensionet e muajve të fundit në pjesën veriore të Kosovës.
Politikania gjermane nga radhët e të Gjelbërve thotë se është e bindur që një tekst i tillë i planit franko gjerman mund t’i bindë Greqinë, Spanjën, Qipron, Rumaninë dhe Sllovakinë që ta njohin pavarësinë e Kosovës në mënyrë që Kosova të niset formalisht drejt anëtarësimit në BE.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u pajtuan të hënën në Bruksel për ta çuar para procesin e dialogut përmes pranimit të propozimit të Bashkimit Evropian, ndonëse i njëjti nuk u nënshkrua nga të dy liderët.
Propozimi, i cili edhe u bë publik për herë të parë të hënën, përmban gjithsej 11 nene. Pos marrëveshjes bazë, propozimi përmban edhe planin e zbatimit.
Takimi i radhës i Nivelit të Lartë është paraparë të zhvillohet më 18 mars në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Ndërmjetësues do të jetë Komisioneri Evropian për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell. Ai pritet të zhvillojë vizitë në rajon, me ç’rast do t’ua kushtojë një pjesë të kohës liderëve të Kosovës dhe Serbisë.