Vogel: Ndërprerja e dialogut strategjik, shenjë se SHBA-ja do të distancohet nga Kurti

0
97

Toby Vogel nga Këshilli për Politika të Demokratizimit në Berlin, vlerëson se me mënyrën se si e ndërprenë dialogun për çështje strategjike, Shtetet e Bashkuara dërgojnë sinjal se “duan të krijojnë një distancë me Kurtin”.

Ai shton se vendimi erdhi gjithashtu në një moment të ndjeshëm, kur Albin Kurti po përpiqet të formojë një qeveri të re të Kosovës, dhe se kjo nuk është rastësi.

“Shtetet e Bashkuara, e sidomos administrata e parë e [presidentit Donald] Trump, kanë një histori me Albin Kurtin dhe një histori të përfshirjes në politikën kosovare. Dikur mjaftonte që presidenti amerikan ose kancelarja gjermane, kur ajo ishte Angela Merkel, të ngrinin receptorin, të telefononin dikë si Hashim Thaçi dhe t’i thoshin çfarë të bënte — dhe ai e bënte. Kjo nuk funksionon me Albin Kurtin. Nëse mendoni se kjo është mirë apo keq, është e parëndësishme; fakti është se Kurti nuk është i tillë. Dhe, pikërisht për këtë arsye nuk e duan as në Uashington e as në Bruksel”, thekson Vogel.

Sipas tij, për përkeqësimin e marrëdhënieve të Kosovës me SHBA-në ose BE-në, përgjegjës është vetë Kurti, sepse “nuk i ka kultivuar me kujdes këto marrëdhënie”.

Por, njëkohësisht, kjo ndodh edhe për shkak të pakënaqësisë së qendrave të vendimmarrjes, pasi “nuk mund ta urdhërojnë më kryeministrin ose presidentin në Prishtinë se çfarë të bëjnë”.

“Besoj se gjithçka duhet parë në këtë kontekst, a do të ketë kjo efektin e dëshiruar, pra a do të arrijë të bashkojë opozitën për të krijuar një qeveri alternative. Sinqerisht, mendoj se ata nuk i kanë numrat. Kështu që nuk jam i sigurt se çfarë synohet me këtë”, thotë Vogel për rel, duke shprehur dyshime se Uashingtoni shpreson për zgjedhje të parakohshme.

“Sinqerisht, kjo do të më dukej si një nga zgjidhjet më ‘të pastra’, sepse është e qartë se kushdo që arrin të formojë qeverinë tani nuk do të ketë një mandat të fortë. Është mirë të jesh partia më e madhe, por kjo nuk mjafton. Nevojiten aleatë, nevojiten partnerë koalicioni. Prandaj, mendoj se gjithçka duhet parë në këtë kuadër”, përfundon ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here