Vodhën 15 mln euro përmes mashtrimit në ‘Call Center’, arrestohet në Spille 30-vjeçari, pjesë e grupit kriminal

0
305

30-vjeçari Jusel Mici ka rënë në prangat e policisë pasi ishte në kërkim për mashtrim kompjuterik në Call Center.

Mici, i cili u kap sot nga “blutë” e Tiranës në Spille, në bashkëpunim me persona të tjerë pjesë e këtij Call Center-i mashtronin evropianët dhe arritën t’iu zhvatnin 15 milion euro.

Arrestimet e këtij grupi kriminal u kryen më 16 dhjetor të 2022 në Tiranë. Hetimi i thelluar ishte iniciativë e SPAK-ut dhe bëri të mundur aso kohe arrestimin e 2 personave dhe sekuestrimin e 11 pasurive të paluajtshme.

SPAK bëri me dije se hetimet nxorën në dritë ekzistencën e një grupi kriminal që synonte kryerjen e mashtrimeve ndaj individëve të cilët banonin në Itali dhe në vende të tjera evropiane (Spanjë dhe Gjermani), të kontaktuar kryesisht përmes telefonit, i bindnin viktimat e tyre të investonin në instrumente financiare realisht inekzistente, me premtimin e normave të larta të kthimit.

Ky operacion policor u zhvillua në Shqipëri dhe në Itali, ku u kontrolluan qendra thirrjesh, banesa dhe ambiente të ndryshme. Në kuadër të operacionit janë shoqëruar, arrestuar dhe shpallur në kërkim persona të dyshuar në lidhje me këtë aktivitet kriminal. Fusha e veprimtarisë së këtij rrjeti kriminal u arrit të ndërtohej nëpërmjet një aktiviteti shumë intensiv hetimor, i cili është kryer dhe nëpërmjet metodave speciale të hetimit, si në mënyrë tradicionale, ashtu dhe në rrjetet kompjuterike.

Si rezultat i këtij operacioni, në Spille, u bë lokalizini dhe arrestimi i shtetasit J. M., 30 vjeç, banues në Tiranë. Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i ka caktuar 30-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, e kryer në bashkëpunim dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

30-vjeçari, në bashkëpunim me persona të tjerë, mashtronin evropianët duke i garantuar atyre, përfitim të menjëhershëm ekonomik kundrejt investimeve dhe duke i bindur ata të investojnë në kriptovaluta.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Operacioni u zhvillua dhe në shtetin italian, konkretisht në qytetet Cagliari, Padova dhe Piacenza, ku Karabinierët e Komandës Provinciale të Pizës zbatuan një urdhër paraburgimi dhe dy vendime sekuestrimi paraprake ​​për një vlerë totale mbi 3 milionë euro.

Në fillim të huajve u garantohet një përfitim i menjëhershëm ekonomik kundrejt një investimi të vogël të viktimave, i cili shërbente për t’i bindur ata të investonin. Më pas, viktima, duke u konsultuar me një platformë mashtruese në internet, krejtësisht fiktive, bindej nëpërmjet një ndërmjetësuesi të rremë, që të investonte gjithnjë e më shumë para. 

/Gazeta Express

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here