Shefja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku u pyet nëse Vjosa Osmani do të kthehej në LDK pas përfundimit të mandatit si presidente.
Ajo refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve për këtë çështje. E pyetur nëse presidentja aktuale do të kthehej të garonte me LDK-në nëse vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare për shkak të dështimit për ta zgjedhur një president, Lushaku tha: “Krejt këto i takojnë të ardhmes. Mendoj që tani në këtë moment është e rëndësishme që të kemi prezantim zyrtar të ndonjë kandidati që do t’i japë epilog kësaj drame të panevojshme në këtë moment”.
Lushaku tha se LDK-ja ishte e gatshme për dialog dhe diskutime dhe për “një emër konsensual” për President.
“Ne numrat nuk i kemi të vetëm që ta prezantojmë asnjë emër dhe ta bëjmë zgjedhjen e Presidentit”, tha ajo.
Ndërkohë që Osmani kërkon edhe një mandat në karrigen e shefes së shtetit, në LVV kanë thënë se s’kanë mbledhur nënshkrime e se s’kanë kandidat për President, sa herë që janë pyetur për të.













































