Një vjedhje e rëndë e kryer në mënyrë të vrazhdë është raportuar të hënën pasdite në qytetin e Prizrenit, ku një kalimtar u sulmua fizikisht dhe iu grabit çanta që mbante në bel. Policia ka reaguar me shpejtësi dhe ka arrestuar të dyshuarin brenda pak orësh.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se më 23 qershor 2025, rreth orës 18:30, në Stacionin Policor është paraqitur D. A., i cili ka raportuar se rreth orës 18:00, përderisa ishte duke ecur në rrugën “Skender Latifi”, një person i panjohur i ishte afruar me shpejtësi, e kishte kapur nga çanta që e kishte të vendosur në bel dhe më pas e kishte shtyrë me forcë, duke e rrëzuar në tokë.
Gjatë rrëzimit, i dyshuari ia kishte shkëputur çantën dhe ishte larguar me vrap. Viktima kishte pësuar lëndime trupore në krahun e djathtë dhe kokë, për të cilat kishte marrë tretman mjekësor. Në çantë ndodheshin: një telefon Samsung A13, para të gatshme (20 euro), letërnjoftimi, patentë shoferi dhe kartela bankare.
Policia ka dalë menjëherë në vendngjarje me njësitë patrulluese dhe hetimore, ku falë punës intenzive operative, rreth orës 20:00 ka arrestuar personin e dyshuar, i identifikuar si K. M..
Gjatë marrjes në pyetje, i dyshuari ka pranuar veprën penale dhe ka treguar vendndodhjen e çantës së viktimës. Me urdhër të Prokurorit Kujdestar, çanta dhe sendet personale janë sekuestruar dhe kthyer viktimës, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “Vjedhje e rëndë në mënyrë të vrazhdë”.
Hetimet janë në zhvillim./Gazeta Sinjali/