Mosrregullimi i çmimeve në sektorin farmaceutik në Kosovë ka ndikuar që qytetarët të paguajnë barnat shumëfish më të shtrenjta sesa vendet e rajonit. Lidhur më këtë është mbajtur dëgjim Publik për Projektligjin për çmimin e produkteve medicinale.
Ministri Arben Vitia thotë se ky projektligj ka për qëllim uljen e çmimit të barnave e që kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në buxhetin e familjeve tona.
Mungesa e zbatimit të Ligjit për çmimin e produkteve medicinave nëpër barnatore ka shkaktuar kaos të keqpërdorimeve me çmime nga ana e farmacistëve në Kosovë. Projektligji lidhur me çmimin e produkteve medicinave, tash e tre muaj, ka kaluar edhe në ekzekutivin kosovar dhe se i njëjti është sjellë edhe në dëgjim publik në Komisionin për Shëndetësi.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me Projektligjin për çmimin e produkteve medicinale tha se është një ligj që i ka munguar Republikës së Kosovës dhe që ka për qëllim rregullimin e tregut farmaceutik.
“Ulje të çmimit te barnave, që ndikon drejtpërdrejt në buxhetet e familjeve tona vendosja e çmimit tavan, për kontraktim të barnave nga ana e institucioneve shëndetësore publike vendos konkurrencën mes barnatoreve komunitare në nivel profesional dhe jo në nivel të çmimeve, siç ka qenë deri me tani”, tha ministri Vitia.
Kurse nga ana e prodhuesve farmacistë vendor, lidhur me këtë projektligj, kërkojnë mbrojtje dhe siguri ligjore. Mërgim Prishtina, prodhues farmaceutik, tha se nuk duhet të vendosen rregulla të rënda për prodhuesit vendorë, sepse kjo ndikon në zhvillim.
“Duhet ta lëmë të zhvillohet tregu natyrshëm dhe të mos vendosen kritere të rënda. Por pa marrë parasysh industria specifike e kërkon një dorë të vogël të shtetit, sepse është industri shumë specifike dhe për këtë arsyeje qe 12 vjet jemi zhvilluar shumë pak”, tha Mërgim Prishtina.
Ndërkaq Shaip Krasniqi, nga Shoqata e Distributorëve të Kosovës, shtoi se duhet të futet kostoja e shërbimit, sepse sipas tij po tentohet të barazohet farmacisti me tregtarë të tjerë./RTK