Vit i brishtë për vreshtarët e Kosovës

0
227

“Sot, sikur të ma jepnin nënshtetësinë e Zvicrës, do t’u thosha mbajeni, nuk më duhet, sepse unë i kam vreshtat e mia”.

Kështu e përshkruan pasionin që ka për vreshtarinë Fatmir Pajzaiti nga Potoçani i Ulët i Rahovecit – pjesa perëndimore e Kosovës.

Mëngjesi i 7 korrikut e gjeti atë duke i shikuar dëmet që ia shkaktoi një shi i rrëmbyeshëm, që kishte rënë gjatë natës.

Smederevkë, Hamburg dhe Zhametë janë tri llojet e rrushit që Fatmiri i kultivon. Por, moti i keq që dominoi muajt e pranverës dhe fillimverës ia ka shuar shpresat se sivjet do t’i nxjerrë investimet që i ka bërë.

Vitin e kaluar, Fatmiri thotë se ka shitur rreth 36 mijë kilogramë rrush të llojeve të ndryshme. Sivjet nuk beson se do të arrijë të vjelë as gjysmën e kësaj sasie.

Njëjtë si vreshtat e tij, shirat kanë dëmtuar edhe vreshtat e tjera përreth.

Disa punëtorë që ishin duke punuar në vreshtat e një kompanie të madhe të prodhimit të verës në Rahovec, i thanë Radios Evropa e Lirë se, krahas motit të keq, vreshtat këtë vit i kanë dëmtuar edhe sëmundje të ndryshme.

Ata thanë se po i spërkatnin hardhitë kundër sëmundjeve – disa prej të cilave, sipas tyre, janë shkaktuar nga moti i ligë.

“Sa më shumë shi, aq më shumë sëmundje për rrushin”, u shpreh njëri prej punëtorëve.

Sipas vreshtarëve, moti me shi dhe breshër i ka dëmtuar më shumë vreshtat e reja, që janë mbjellë në 3-4 vjetët e fundit.

Një vreshtë me hardhi të reja zakonisht fillon prodhimin e rrushit në vitin e tretë.

Por, këtë vit, duket se shumë vreshta nuk do të prodhojnë fare rrush, pasi janë tharë.

Vitet paraprake, kur moti në pranverë dhe në verë ka qenë më i mirë, vreshtarët kanë kontribuuar që në Kosovë të prodhohen mbi 8 milionë litra verë.

Mbi 7 milionë litra verë që prodhohen në Kosovë, eksportohen jashtë vendit.

Sipas një raporti të vitit 2017 të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, sipërfaqja me vreshta në Kosovë ka qenë rreth 9.000 hektarë në vitin 1988, ndërsa sot kultivohen mbi 3.100 hektarë, prej të cilëve 769 hektarë janë me rrush tryeze dhe rreth 2.300 hektarë me rrush për verë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, rreth 75% e vreshtave janë në pronësi të fermerëve, ndërsa pjesa tjetër – rreth 25% – është në pronësi të kompanive prodhuese të verës./REL/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here