Viqentijeviq e pranon se në bazën ushtarake në Serbi janë trajnuar 120 persona nga veriu

0
38

Njëri nga vëllezërit Viqentijeviq, që akuzohet për sulmin me rreth 20 kilogramë eksplozivë të kryer një vit më parë në kanalin e Ibër-Lepencit, i ka thënë Prokurorisë Speciale se ishte në bazën ushtarake në Serbi, ku u trajnua grupi i Radoiçiqit një ditë para se të ndodhte sulmi në Banjskë. Jovan Viqentijeviqi është i akuzuar edhe për spiunazh, ndërsa njëra nga provat që Prokuroria i ka siguruar është kartela e inteligjencës ushtarake

Jovan Viqentijeviq, mbi të cilin rëndojnë akuzat për kryerje të veprës terroriste në kanalin e Ibër-Lepencit, u ka thënë institucioneve të Kosovës se ka marrë pjesë në trajnim 9-ditor ushtarak në vendin ku bëri stërvitje grupi që kreu sulmin terrorist në Banjskë. 

Viqentijeviq, të cilit i është gjetur edhe kartela e inteligjencës ushtarake e agjencisë serbe VBA, ka thënë se 120 veta kanë marrë pjesë në trajnim në njërën nga poligonet më të njohura stërvitore ushtarake në Serbi.

“I pandehuri gjatë transportimit të tij nga Mitrovica e Veriut në Prishtinë me dt. 2.12.2025 dhe pastaj gjatë dërgimit të tij në qendrën e paraburgimit me dt. 3.12.2025, në bisedë me zyrtarët policorë kishte dhënë informacione në lidhje me veprimtarinë e tij të kundërligjshme e po ashtu edhe për persona tjerë të involvuar në veprime të ngjashme, duke pohuar se ka marrë pjesë në ushtrimet në kampin e ushtrisë serbe të quajtur “Pasuljanske Livade” në Serbi. Atje ka qëndruar dhe është trajnuar prej datës 14.9.2023 deri më datën 23.9.2023”. Sipas tij, aty kanë qenë duke u trajnuar rreth njëqind e njëzet (120) persona nga veriu i Kosovës, të gjithë të nacionalitetit serb”, thuhet në një pjesë të aktakuzës. 
Jovan Viqentijeviq, i cili edhe të vëllain Dragishën e ka të akuzuar për sulm terrorist, i ka thënë Prokurorisë se një ditë para sulmit në Banjskë shkuan në mënyrë të organizuar në komuna që janë më afër Kosovës. 

“Sipas të pandehurit Jovan Viqentijeviq, në kampin “Pasuljanske Livade” në Serbi, trajner ka qenë një epror i ushtrisë Serbe me emrin Aleksandër Kosanin nga Kragujevci i Serbisë, si dhe një person tjetër gjithashtu oficer i ushtrisë se Serbisë me pseudonimin “Stole” (nuk ia di emrin)… Jovan Viqentijeviq ka theksuar se pas përfundimit të trajnimit më datë 23.9.2022 me një autobus nga baza “Pasuljaske Livade” në mënyrë të organizuar kanë udhëtuar për në Rashkë, pastaj për në Novi- Pazar, aty kanë pushuar një kohë dhe janë ushqyer”, thuhet më tej në aktakuzë. 

Ai i ka thënë Prokurorisë se ishte në dijeni për një plan për sulm në Kosovë në tetor të 2024-tës, porse atë e shtyu udhëheqësi në terren i sulmit terrorist në Banjskë. 

“Tutje, i pandehuri Jovan Viqentijeviq ka theksuar se në muajin tetor të vitit 2024 ka qenë i planifikuar një sulm në Republikën e Kosovës (nuk ka cekur diçka më shumë), por ishte stopuar nga i kërkuari me letër rreshtimi ndërkombëtar Milan Radoiçiq me arsyetimin se duhet të presim deri të përfundojnë zgjedhjet në Amerikë, dhe kandidati për president të SHBA-së, z. Donald Trump të fitojë, pasi që, sipas informatave që ka i pandehuri Viqentijeviq, Milan Radoiçiq ka financuar fushatën e z. Trump te Lobi Serb me tridhjetë (30) milionë dollarë”, shkruan në aktakuzë.

Në bazë të ekspertizës së FBI-së, në çizmet e tyre është gjetur dheu që për sa u përket strukturës, ngjyrës dhe përbërjes ishte i njëjtë me atë në kanalin e Ibër Lepencit. 

Organi i akuzës pretendon se në fitilin që u sekuestrua në vendin e ngjarjes u gjetën edhe gjenet që përputhen me ADN-në e të akuzuarve. 

Aktakuza përfshin vëllezërit Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, që akuzohen për “rrezikim të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”, dhe për terrorizëm. Ata dhe Igor Dimiqi akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Ndërsa, aktakuza që ngriti Prokuroria Speciale e Kosovës kundër 45 personave për sulmin e armatosur në Banjskë i ngarkon shumicën e tyre për kryerje të terrorizmit dhe të veprave të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Në këtë fshat në veri të Kosovës, një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës më 24 shtator 2023, duke vrarë policin Afrim Bunjaku. Me këtë rast është vrarë zyrtari policor, Afrim Bunjaku, është plagosur zyrtari policor, Alban Rashiti, dhe janë lënduar zyrtarët e tjerë policorë: Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu, Sedat Dushi.

Në aktakuzë, Milan Radoiçiq cilësohet si kreu i grupit terrorist, i cili bashkë me pjesëmarrësit e tjerë, më 24 shtator 2023, në orën 01:00, pasi që kanë bllokuar rrugën tek ura e fshatit me dy kamionë dhe pastaj janë fshehur, kanë sulmuar zyrtarët policorë të Kosovës, të cilët kanë shkuar për t’i hequr kamionët dhe për të liruar rrugën.

Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi për ngritjen e aktakuzës më 11 shtator 2024, gati një vit pas sulmit në Banjskë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here