Vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin për Pagën Minimale, pos presidentes, po e presin edhe kategoritë e dala nga lufta. Ato kanë ndryshuar qëndrim dhe deri në verdiktin e Kushtetueses nuk do të protestojnë e as nuk do të pengojnë punën e Kuvendit
Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë hequr dorë nga protestat për të kundërshtuar Ligjin për Pagën Minimale.
Përfaqësues të organizatave të dala nga lufta bënë të ditur se do të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë ligj.
Me gjithë mosdekretimin e ligjit nga presidentja dhe dërgimin e tij në Kushtetuese, pjesëtarë të kategorive të dala nga lufta të shtunën paralajmëruan protesta të tjera e pengim të punës së Kuvendit.
Por të hënën Xhavit Jashari, nga Shoqata e Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, tha se ka një dakordim me përfaqësuesit e kategorive të tjera.
“Për momentin me qenë se është dërgu në Kushtetuese, ne deri në interpretim të Kushtetueses ne do të presim nuk do të marrim veprime të cilat në këtë kohë ndoshta nuk na duhen. Megjithatë është prek keq, është prek rënd, është thy dinjiteti i secilit qytetarë, jo vetëm të kësaj kategorie”, ka deklaruar Jashari.
Ligji për Pagën Minimale, nga i cili janë përjashtuar veteranët, është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, tha se do t’i përkrahin kërkesat e tyre, por jo duke ndërmarrë veprime të dhunshme.
“Nuk do të ishte mirë që veteranët më mbrojt vet të drejtën e tyre…Unë do ta mbroj të drejtën e veteranëve por jo duke shkatërru shtetin tonë”, u shpreh Haradinaj.
Presidentja Vjosa Osmani do të presë verdiktin e Kushtetueses para se ta dekretojë ose jo ligjin e miratuar më 13 korrik./Koha