Vetëdija politike dhe identiteti shtetëror i shqiptarëve

0
172

Vetëdija e qytetarëve dhe e klasës politike është e lidhur ngusht me identitetin shtetëror të një vendi!… 

Trajtimi i kësaj teme kushtuar “Identitetit Shtetëror” të shqiptarëve në shumë këndvështrime përfshinë një gamë procesesh politike të kohës së tranzicionit në botimin me publicistikë artistike “Proceset Politike pa Identitet Shtetëror” të autorit Safet Sadiku.

1) Jemi mësuar në përditshmëri të flasim për shumë arritje të shkencës në fushave të ndryshme falë edhe teknologjisë së telekumunikimit, internetit etj., që ka mundësuar një zhvillim kolosal që nga fillimi shekullit XXI. Arritjet e shumta i kanë bërë dhe i bëjnë dijetarët, pra ata që investojnë në “përsiatjen e mendjes”, në fusha të ndryshme të shkencës, por edhe të lëvizjeve politike gjatë rrethanave historike në zbërthimin e ideve, duke analizuar argumentin. Të gjitha këto hulumtime kanë një kosto të lartë. Po ashtu edhe në politikë mbajtja e qëndrimeve duke ndjekur në hap trendin e zhvillemeve të tjera “pro faktorizimit të shqiptarëve në Gadishullin Ilirik” në funksion për ruajtjen e vlerave shtetërore dhe kombëtare gjatë gjithë kohës së tranzicionit mbi tridhjetëvejeçarë ka një kosto të pashkruar…! 

2) Edhe në librin me publicistikë artistike, (siç e ka cilësuar vetë autori) “Proceset Politike pa Identitet Shtetëror”, e gjejmë termin bazë “Përsiatje”, që lexuesi sa të futet në temat e trajtuara për zhvillimet e ndodhura dikur apo edhe tani në vendbanimet shqiptare mund ta kuptojë, se bëhet fjalë më shumë për procese politike se sa për informacione ditore. Ndërkaq, në kuadër të zhvillimeve të shumta shtrohen disa tema dhe strategji duke nënvizuar edhe shumë mangësi që administratat shtetërore të shqiptarëve i kanë përcjellur gjatë gjithë kohës së tranzicionit. 

3) Ndonëse, shumica e shkrimeve, siç duket nga nënteksiti dhe shënimi i datave, kanë qenë të publikuara, prapëseprapë autori këtë rikujtim e bënë me modesti artistike, duke mos i përmendur me emra, asnjë nga këta të politikës, por ata i metaforizon, me pseudonime, në ndonjë rast edhe i injoron, por që nga konteksti i procesit nënkuptohet se për cilin  pushtet është fjala, që në pamje të parë mund të duket si një veprim “ledhatues”, pavarësisht se ngjarjet trajtohen me mjaft argumente dhe logjika të avancuara. Kjo nënkupton se autori në këtë publicistikë me rrëfime të shkurta nuk flet fare për individin sepse nuk është qëllimi aty, por flet për ngjarjen, për fenomenin dhe proceset juridike që kaluan dhe ende po kalojnë shqiptarët në tranzicionin e pambaruar! 

4) Kur flasim për proceset juridike, theksi bie në gabimet e së kaluarës, që nënkupton se pavarësisht zhvillimeve dhe avancimeve të shumta edhe në funksion të faktorizimit ekonomik të çështjes kombëtare, shqiptarët kanë një deficit në mungesën e diciplinës së funksionimit të administratës shtetërore që autori e ka fiksuar që në titull të këtij botimi, duke na sjellur në vëmendje një term të ri, të cilën e quan “Identitet Shtetëror”. Jemi të ndërgjegjshëm se, të ngacmuar prej skajit të frikshëm të doktrinës e realiteteve ortodokse edhe studiuesit shqiptarë nuk e kanë gjetur sa duhet vetvten e tyre për ta trajtuar me përgjegjësi këtë problem kardinal. Të gjithë ne në atdhe flasim për “Identitet Kombëtar” dhe pothuaj jo rrallëherë harrojmë “Identitetin Shtetëror”, që sipas autorit te shqiptarët në shumicën e këtyre administratave nuk është arritur të jetësohet funksionimi i “Identitetit Shtetëror” sipas vlerave të “Identitetit Kombëtar”. 

5) Trajtimi i temave në disa këndvështrime dhe përjetimi i ngjarjeve me shumë fakte të paraqitura, në planet e armikut, të cilat i përjetuan gjithë shqiptarët, dhe ato tani në këtë kohë sikur ka tendenca të harrohen, janë një pjesë e veçantë e këtyre rrëfimeve, që për fat të keq shumë fenomene negative ende janë të pranishme edhe sot e kësaj dite. Në veçanti sektori i sigurisë le shumë për të dëshiruar. E gjithë vërejtja për këto fakte të interpretuara gjatë këtyre rrëfimeve, është se kjo pjesë e historisë nëse harrohet, ajo rrezikon të përsëritet! Prandaj, shkrimet gjatë dialogut pasqyrojnë besimin e tepruar të disa liderëve politikë, ndaj shtetit fqinj. Pikërisht ky besim ju kthehet bumerang dhe sot ndodhen ende nën procese gjygjësore tërë ato personalitete politike! Eh sa pafundësi veprimesh, sa shumë dashuri kërkon kjo punë, sa përkushtim e sa pastërti dhe sa zemër, mesazhe që i përcjell me atdhetarizëm autori.

6) I gjithë historiku i shkrimeve dhe analizave ka një porosi të qartë, se zgjedhja e këtyre çështjeve që lidhet ngusht me zgjedhjen historike të çështjes shqiptare, që për fat të keq në administratat tona shtetërore, ende kemi shumë deficite në funksionalitet të ruajtjes së „Identitetit Shtetëror”, autori e shtron për zgjidhje përmes programit: “Platforma për Referendum Kombëtar”, të cilin program do ta botojë në një të ardhme të afërt. Mesazhi kryesor i këtij botimi mbetët kërkesa për jetësimin e „Identitetit Shtetëror” i të gjithë shqiptarëve në Gadishullin Ilirik, sipas vlerave të „Identitetit Kombëtar”, e cila duhet të kalojë dhe të aprovohet përmes proceseve politike dhe juridike para se shqiptarët të futën në familjen e madhe të BE-së. Trajtimet e tilla autori i ka ndërtuar në disa rubrika apo tabllo jetësore, (të përjetuara në përditëshmëri) nën logjikën e metaforave të shumta si shprehje artistike; (Mbi hije…, Nën hije…., Nën rreze…, Shtylla kurrizore…, etj.), duke hequr maskën e gjithë zinxhirit të gabimeve politike gjatë periudhës së tranzicionit, përfshirë këtu edhe emrat e politikanëve të lartë, të cilët autori ju ka vë nga një nofkë simpatike. 

7) Në shkrimet e autorit shprehet dukshëm një ndjenjë dashurie për kombin dhe njëherazi optimizmi se çështja kombëtare do të zgjidhet, dhe se zgjidhja është e mundur kur kërkesat legjitime të popullit shqiptar në Gadushullin Ilirik parashtrohen jo vetëm brenda të vërtetës historike të pamohueshme, por edhe në promovimin e kësaj të vërtete në arenën ndërkombëtare si pjesë e juridiksionit të së drejtës ndërkombëtare. Në këtë kah autori rreshtohet me meritë në ajkën e elitës kombëtare shqiptare në këndvështrimin e së cilës, përputhja e hisitorisë me gjeografinë përbën një ligjësi të pamohueshëm, se çështja kombëtare nuk konsiderohet asnjëherë e mbyllur në çdo fazë dhe sektorë ose përbërës të saj në kundërshtim me disa shkolla ndërkombëtare, sidomos ballkanase e ruse, se pavarësia e Kosovës mund ta konsiderojë të mbyllur çështjen shqiptare. Çështja kombëtare shqiptare pas pavarësimit të Kosovës parashtron një gjeopolitikë të re për avancimin e çështjes kombëtare shqiptare me prioritet gjithë hapësirën shqiptare. 

8) Autori na kujton se lipset nga të gjithë ne, të mbahet qëndrim i qartë duke marrë parasysh se pala serbe i ka studiuar mirë rrethanat politike dhe ka nxjerrë pozicionet e saj, të koordinuara në një linjë, dhe shumë kohë më parë ka bërë dhe bën ngaherë, pa lëshime, çdo akrobaci ligjore dhe politike për qëllimet e saj. Nga ana jonë kjo përgatitje kërkon medoemos që të ngërthejë mirë në një tryezë; historianë, juristë, politikanë dhe diplomatë, të zhveshur nga interesa meskine politike të kohës, apo individuale. Në këtë kah, roli i shtetit amë Shqipërisë i vjen natyrshëm vetënjësimi dhe historia kombëtare e shqiptarëve. Shqipëria rolin e shtetit amë duhet ta shohë jo si diçka fakultative, por si një detyrë dhe përgjegjësi që ia ka ngarkuar historia. Shqipëria me urgjencë duhet të marrë më shumë përgjegjësi si shtet amë kundrejt shqiptarëve që jetojnë në vende të tjera. Republikës së Shqipërisë (në bashkëpunim strategjik me Republikën e Kosovës) i takon të bëjë “kontabilizimin e kombit”, pra vlerësimin e burimeve materiale e njerëzore dhe e potencialeve të zhvillimit që ka kombi shqiptar në tërësinë e tij, sigurinë dhe fuqizimin e të gjitha këtyre resurseve në fokus të mbrojtjes së intersave kombëtare. Prestigji i Shqipërisë si shtet amë rritet kur diplomacia e saj nuk është thjesht “zëdhënëse” e diplomacisë perëndimore në rajon, por edhe kur gjenë hapësirë për të artikuluar shqetësimet e gjithë shqiptarëve, dhe ato i adreson edhe te faktorët ndërkombëtarë! Për ta bërë këtë gjë nuk është e lehtë, sepse në kushtet e demokracisë dhe të konkurrencës politike shpeshherë është e vështirë që ta ndash interesin kombëtar prej interesave partikulariste të forcave politike dhe prej lidhjeve të shkurtra që politikanët kanë me njëri-tjetrin. Të paktën kjo gjë deri tani nuk ka ndodhur. Për këtë nevojiten, midis të tjerash, studime dhe bashkëpunime të studiuesve shqiptarë, të formësuar kryesisht me kulturë strategjike. Në fund të fundit në themel të një vendi të vogël dhe të suksesshëm qëndron një pakt, një strategji, një marrëveshje kombëtare e mbijetesës dhe zhvillimit. Konsensuesi, kohezioni dhe qartësia në rrugën e zhvillimit të tyre ka qenë çelësi i suksesit. Njëherazi, mungesa e vullnetit strategjik, bëjnë që drejtuesi apo komandanti të vërtitet nën hijen e strategjive të të tjerëve. Për të s’ka „përvoja historike”, po “faturë historike”, s’ka potencial strategjik dhe as pasuri të gjeografisë së vet. Por, rastet janë për t’iu afruar aktotëve të lojrave të mëdha. Në të vërtetë, ndryshimi i gjeografisë dhe historisë si elementë konstantë, është i pamundur pa elementin njeri, që realizon planifikimin dhe vullnetin strategjik, të cilët janë faktorë shumëzues të fuqisë kombëtare. 

9) E ritheksoj se, përmes artikujve të shumtë që autori ka zgjedhur përfshin mjaft probleme e momente të shumta, të karakterit shumëdimensional, përballimi i të cilave ka kërkuar një njohje të mirë të tyre, e mbi të gjitha, ka kërkuar formim, kulturë e profesionalizëm për t’i analizuar problemet e shumta në mënyrë të gjithanshme dhe objektive. Duke i pasur këto premisa z. Safet Sadiku ka arritur që në këtë botim të sjellë rreth gati 400 faqe tekste me tema të ndryshme, që dëshmon se është një botim serioz, që përmbush një objektiv, i cili jep një ndihmesë sa mësimor e njohës, aq edhe edukativ. Ky libër le të shërbejë si model i rrahjes së mendimeve, pa fyerje, pa ngritje zëri, pa sharje e baltosje të mendimtarit dhe të mendimit ndryshe. Studiues dhe atdhetar si z. Safet Sadiku, si personalitet me integritet të shquar i aksionit për çështje kombëtare, njëherazi me përkushtim dhe ndjenjë përgjegjësie, i cili ka realizuar arsimim dhe kualifikime solide, dhe është i dalluar me krijimtari letrare qysh herët kur ishte nxënës i shkollës fillore për të vijuar në kohën e studimeve me shkrime dhe poezi në gazetën e studentëve “Bota e re”, “Rilindja”, “Pioneri” etj. Ai ka botuar disa vëllime poetike si dhe botimin me interes „Frymëzuesi i lirisë” kushtuar lindjes së njësiteve të para të UÇK-së. Është bashkëthemelues dhe bashkëdrejtues i Institutit Studimor “Platforma për Referendum Kombëtar” me seli në Tiranë dhe hartues i programit kombëtar; “Platforma për Referendum Kombëtar”, që vlerësohet projekt madhor me vizion për integrimin mbarëkombëtar dhe në mbrojtje të interesit mbijetik kombëtar të shqiptarëve në Gadishullin Ilirik. Unë shpresoj e besoj te lexuesit shqiptarë e më gjërë, se libri do të jetë i mirëpritur; pasi ky botim me të cilin po paraqitet autori para lexueseve dhe opinionit është dinjitoz. Kështu që çdo atdhetar i mirëorientuar vetëm në mbrojtjen e vlerave kombëtare dhe me formatin idealist të patriotizmit, ashtu si edhe gjeniun e kupton dhe vlerëson, se çdo përpjekje për të paraqitur me objektivitet aspekte të dimensionit kombëtar, është vlerë e shtuar. 

Prof. Dr. Pajtim Ribaj, Tiranë, 20 Dhjetor 2024

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here