Vendos Kushtetuesja: Dekreti i Osmanit i pavlefshëm, Kuvendi ka 34 ditë për zgjedhjen e presidentit

0
70

Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin lidhur me çështjen e dekretit të 6 marsit 2026, të presidentes Vjosa Osmani e cila shpërndau Kuvendin e Kosovës.

Sipas aktgjykimit të datës 25 mars 2026, Dekreti i Presidentes është shpallur i pavlefshëm dhe nuk prodhon asnjë efekt juridik.

Gjykata konstaton se deputetët e Kuvendit kanë në dispozicion 34 ditë për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së Presidentit, dhe nëse kjo nuk realizohet brenda kësaj periudhe, Kuvendi shpërndahet automatikisht sipas Kushtetutës dhe do të organizohen zgjedhje të parakohshme.

Gjykata gjithashtu anuloi vendimin e mëparshëm për masën e përkohshme të vendosur më 9 mars 2026 dhe urdhëroi publikimin e këtij aktgjykimi në Gazetën Zyrtare të Kosovës.

Si rezultat i kësaj Kushtetuesja e ka shpallur të pranueshme kërkesën e kryeministrit albin Kurti në emër të Qeverisë dhe atë të Arbërie Nagavcit në emër të 30 deputetëve dhe ka konstatuar se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit nuk prodhon asnjë efekt juridik.

Gjykata ka konstatuar se Kuvendi i konstituar më 11 shkurt nuk i ka pasur 60 ditë në dispozicion, brenda së cilës duhej përfunduara procedura për zgjedhjen e peridentit, afat ky i përcaktuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës.

“Megjithatë, duke iu referuar nënparagrafit 3 të paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës, përmes të cilit përcaktohet që Kuvendi shpërndahet në rastin kur ‘nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjedhet Presidenti i Republikës së Kosovës’, Gjykata marrë për bazë kontekstin specifik të rrethanave të konstituimit të Kuvendit më 11 shkurt 2026, vlerësoi se Kuvendi nuk ka pasur gjashtëdhjetë (60) ditë në dispozicion, brenda të cilës periudhë duhej përfunduar procedura për zgjedhjen e Presidentit”, thuhet në aktgjykim.

Aktgjykimi hyn në fuqi menjëherë.

Ky vendim thekson rëndësinë e respektimit të afateve ligjore për zgjedhjen e institucioneve dhe parashikon pasojat në rast mosveprimi brenda afateve të përcaktuara. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here