Vendos Gjykata: Një muaj paraburgim dy fajdexhinjve në Prizren, përfituan mbi 400 mijë euro vetëm nga kamata

0
64

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit për një muaj ndaj dy të pandehurve, Eduart Kaçinari dhe Anton Kaçinari, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”.

Masa mund të zgjasë deri më 11 prill.

Sipas gjykatës, nga hetimet e deritanishme rezulton se i pandehuri Eduart Kaçinari, që nga viti 2021, ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës B.Ç., duke i dhënë shuma parash me përfitime të jashtëzakonshme nga kamata. Vetëm nga ky proces, Eduarti ka përfituar mbi 400 mijë euro.

Për të shlyer borxhin, viktima tjetër, B.B., është përfshirë gjithashtu duke marrë para nga të pandehurit për të ndihmuar viktimën e parë.

Sipas hetimeve, Eduart Kaçinari dhe Anton Kaçinari kanë kërkuar nga viktimat shuma totale prej 550 mijë eurosh, duke kërkuar edhe kalimin në pronësi të dy lokaleve afariste dhe një shtëpie, me vlerë të përgjithshme rreth 1 milion euro, si shlyerje e borxhit.

Përveç presionit financiar, të pandehurit përdorën edhe forcë fizike dhe kërcënime, duke detyruar viktimën B.Ç. dhe nënën e tij të shkojnë në zyrën e përmbaruesit privat për të vazhduar me procedurat noteriale për kalimin e pronës. Policia i arrestoi pikërisht gjatë kësaj procedure të mërkurën.

Për këtë rast ka raportuar ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Eduart Kaçinari

Anton Kaçinari

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here