Vendimi i BQK-së: Nga seanca në OKB, presioni i ndërkombëtarëve e deri te takimi i thirrur nga BE-ja në Bruksel

0
191

Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila u publikua më 17 janar dhe hyri në fuqi më 1 shkurt, e bën euron valutë të vetme për pagesa në Kosovë. Ky vendim nxiti reagime nga komuniteti serb që pranon pagesa në dinarë nga Serbia që nga paslufta më 1999. Një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare kërkoi nga Qeveria e Kosovës që ta tërheqë këtë vendim, ndërsa një pjesë tjetër kërkoi që ta shtyjë.

Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, më 8 shkurt, Kosova u kritikua për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës dhe për mospërfillje të ndikimit të saj te minoriteti serb në Kosovë. Anëtarët e Këshillit të Sigurimit kërkuan që Kosova dhe Serbia të përkushtohen në dialog dhe të zbatojnë marrëveshjet, si dhe të përmbahen nga veprime të njëanshme që mund të rrisin tensionet.

Pas këtyre thirrjeve, SHBA-ja i ka dhënë një goditje Qeverisë së Kosovës. Ishte ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, i cili tha se vendimi për ta zbatuar rregulloren e BQK-së për ndalimin e dinarit serb, ka ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë. Ndërsa para tij, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien paralajmëroi se SHBA mund të mos e trajtojë Kosovën si partnere, nëse merr vendime pa u konsultuar, raporton Gazeta Sinjali.

Presioni ndërkombëtar ka vazhduar edhe me thirrjet e BE-së që kjo çështje të diskutohet në dialogun mes dy shteteve.

Bashkimi Evropian e ka përsëritur se dëshiron t’u ndihmojë Kosovës dhe Serbisë që të gjejnë një zgjidhje për çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë, pas hyrjes në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh euron si valutë të vetme për pagesa me para të gatshme në shtet.

Për këtë çështje, emisari i BE-së, Miroslav Lajçak i ka bërë ftesë Kosovës dhe Serbisë për një takim në Bruksel gjatë ditës së sotme.

Nga Kosova konfirmuan se ftesës së BE-së i është përgjigjur pozitivisht Banka Qendrore e Kosovës, pa dhënë emra se kush do të jetë pjesë e delegacionit.

Në këtë takim, Kosova do të përfaqësohet nga guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili. Ndërkaq, sipas medias serbe, Tanjug, në takimin e 27 shkurtit, Serbinë do ta përfaqësojë kryenegociatori serb në dialogun Kosovë-Serbi, Petar Petkoviq.

Kosova mendon se çështja e dinarit nuk është një temë që duhet diskutuar në dialog, por autoritetet bankare në Serbi kanë kërkuar që zgjidhja për këtë çështje të gjendet në kuadër të dialogut të Brukselit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here