Rënia e Lirisë në Ligën e Parë të futbollit kosovar ka pasur një ndikim të madh, duke prekur çdo aspekt të klubit, si në performancë ashtu edhe në organizim. Përpjekjet për rikthimin në Superligë po duken më sfiduese se kurrë, duke përfshirë edhe ndryshimet në stafin teknik, shkruan 04 Online.
Sot, klubi ka njoftuar ndarjen me trajnerin Bledar Devolli, duke hapur rrugën për një epokë të re. Burimet e afërta me klubin raportojnë se Leotrim Krasniqi, i cili deri vonë drejtoi Vëllaznimin e Gjakovës, është favorit për të marrë drejtimin e ekipit. Krasniqi është një emër që njihet për përvojën dhe përkushtimin e tij, por sfidat që e presin janë të shumta. Po, për ata që nuk e dijnë, Krasniqi është shkarkuar nga Vëllaznimi për shkak të rezultateve jo të mira. Dhe, se sa do të ketë rezultat me ekipin nga Prizreni i cili është në krizë të thellë, mbetet të shihet.
Rikthimi i Lirisë në elitën e futbollit kosovar mbetet një aspiratë e madhe për tifozët e zjarrtë të klubit. Megjithatë, ky proces kërkon kohë, strategji dhe investim për të kapërcyer vështirësitë dhe për të rikthyer shkëlqimin e dikurshëm./04 Online