Të dielën ka vdekur Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Kjo u bë e ditur nga kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, që njoftoi nëpërmjet rrjetit social Facebook.
Krasniqi ka thënë se me dhembje të thellë e mori lajmin për vdekjen e Thaçit, duke shkruar se nuk është shuar vetëm një njeri, “por një baba që i dha Kosovës një çlirimtar, një burrë që me përkushtimin e tij ndihmoi në lindjen e një epoke të re për kombin tonë”.
Krasniqi e cilësoi babanë e ish-presidentit si shtyllë e fortë e vlerave atdhetare.
“Me dhembje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit, babait të Presidentit Hashim Thaçi. Sot, pas një beteje të gjatë me sëmundjen, nuk u shua vetëm një njeri, por një baba që i dha Kosovës një çlirimtar, një burrë që me përkushtimin dhe edukatën e tij ndihmoi në lindjen e një epoke të re për kombin tonë”, ka shkruar Krasniqi.
Javën e kaluar, Thaçi u lejua nga Dhomat e Specializuara në Hagë ta vizitonte babanë e tij në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ku po trajtohej tash e sa kohë.