Një burrë 40-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve të rënda që mori në një incident me traktor në fshatin Bresanë të Komunës së Dragashit.
Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Sipas Bytyqit, viktima ishte duke punuar me traktor në zonën malore të fshatit Bresanë, Dragashë në momentin e incidentit.
“Sot, më 18 korrik 2025, rreth orës 09:50, Policia është njoftuar nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Bresanë, Dragashë se një person mashkull, D.A. (40 vjeç), është sjellë në qendër nga vëllai i tij me lëndime të rënda trupore. Pas ofrimit të ndihmës së parë, ai është dërguar me autoambulancë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku më pas, për shkak të lëndimeve të marra, ka vdekur. Sipas informatave fillestare, viktima ishte duke punuar me traktor në zonën malore të fshatit Bresanë, Dragashë në momentin e incidentit. Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta. Policia ka reaguar menjëherë, ka dalë në vendin e ngjarjes, ka siguruar zonën dhe ka njoftuar njësitet përkatëse hetimore. Në vendngjarje është angazhuar edhe prokurori kujdestar, me urdhër të të cilit rasti është iniciuar si “Vdekje e dyshimtë”, ndërsa trupi pa jetë është dërguar në Institutine Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, tha Bytyqi për Gazeta Sinjali.