Raphael Varane ka njoftuar për pensionimin nga futbolli.
Ish-futbollisti i Real Madridit dhe Manchester Unitedit vendosi të tërhiqet nga futbolli para kohe.
Ish-përfaqësuesi francez është 31 vjeç aktualisht, shkruan “BBC”, përcjell “Gazeta Express”.
Ai iu bashkua ekipit italian, Como si transfer i lirë në korrik të këtij viti, por e pësoi një lëndim në gju në debutimin e tij kundër Sampdorias muajin e kaluar.
Qendërmbrojtësi thotë se do të qëndrojë në klub, por në një rol tjetër.
“Unë e mbaj veten në nivelet më të larta, dua të largohem i fortë”, shkroi futbollisti francez në rrjetin social “Instagram”.
“Të nevojitet një dozë e madhe e kurajës për ta dëgjuar zemrën tënde dhe instinktin”, vazhdoi ai.
Varane e nisi karrierën në ekipin francez, Lens, por e kaloi vetëm një sezon aty para se t’i bashkohej Real Madridit në vitin 2011.
Aty i shijoi 10 vjet të karrierës, duke i fituar 18 trofe me gjigantin spanjoll, përfshirë këtu katër Liga të Kampionëve dhe tre La Liga.
Mbrojtësi lëvizi drejt “Old Trafford” në verën e vitit 2021 për afro 40 milionë euro, ndërsa i zhvilloi 95 ndeshje në të gjitha garat.
Ai e fitoi Carabao Cup në vitin 2022 dhe në paraqitjen e fundit me klubin nga “Teatri i Ëndrrave” triumfoi në finale të FA Cup duke e mposhtur rivalin e qytetit, Manchester City në Wembley në muajin maj.
Varane kishte debutuar për Francën në vitin 2013 dhe me “Trekolorët” i kishte zhvilluar 93 ndeshje, duke e fituar Kupën e Botës në vitin 2018 dhe Ligën e Kombeve më 2021, ndërsa kishte arritur deri në finale të Botërorit 2022.
“Kam rënë dhe jam ngritur mijëra herë, ndërsa këtë herë është momenti të ndalem dhe t’i vendos këpucët në gozhdë. Nuk jam pishman për asgjë, nuk do t’i ndryshoja gjërat. Kam fituar më shumë se që kam ëndërruar. Mbi të gjitha, jam munduar të isha i sinqertë dhe t’i lija gjithmonë gjërat më mirë se që i kam gjetur. Shpresoj që ju kam bërë të gjithëve krenarë”, përfundoi Varane.