Bordi Ndërkombëtar i Shoqatës së Futbollit (IFAB) ka vendosur të ndryshojë rregullat e ndërhyrjes së VAR-it, duke i dhënë këtij sistemi të drejtën të rishikojë edhe rastet e kartonit të dytë të verdhë.
Vendimi vjen pas incidentit në derbin mes Interit dhe Juventusit, ku mbrojtësi bardhezi Pierre Kalulu u përjashtua gabimisht pas një ndërhyrjeje ndaj Alessandro Bastoni, në një moment kur rezultati ishte 1-1. VAR-i nuk mund të ndërhynte, pasi bëhej fjalë për karton të dytë të verdhë dhe jo për karton të kuq direkt.
Pas përjashtimit, Juventusi u mposht 3-2, pavarësisht se deri në atë moment ishte paraqitur më mirë në fushë. Rasti ngjalli debat të madh dhe shtyu IFAB-in të rishikojë ligjin aktual.
Me ndryshimin e ri, gjyqtarët do të kenë mundësinë të rishikojnë edhe situatat e kartonit të dytë të verdhë, duke shmangur përjashtime të padrejta që ndikojnë drejtpërdrejt në rezultat.
Rregulli i ri pritet të zbatohet nga Kupa e Botës 2026. Ndërkohë, sipas “Sky Sports”, janë zgjeruar edhe kompetencat e VAR-it për kontrollimin e goditjeve nga këndi, si dhe janë miratuar masa të reja për të parandaluar humbjen e kohës gjatë ndeshjeve./04 Online














































