Tashmë do mundemi të mësojmë më shumë rreth magjisë, ajo nuk do të jetë më një mister nëse ekziston apo jo, por për herë të parë do të mund të studiohet për të.
Një diplomë mbi studimet në magji do të jepet për herë të parë në Angli, nga universiteti Exeter.
BBC bën me dije se, cikli një vjeçar i studimit do të fillojë në shtator 2024 dhe do të ofrojë mundësinë për të studiuar mbi magjinë, historikun e saj dhe ndikimi në shoqëri e shkencë. Ekspertët në histori, letërsi, filozofi, arkeologji, sociologji, psikologji, dramë dhe fe do të tregojnë rolin e magjisë në Perëndim dhe Lindje. Universiteti tha se ishte një nga të vetmet kurse pasuniversitare të këtij lloji në Mbretërinë e Bashkuar që kombinonte studimin e historisë së magjisë me një gamë lëndësh të tjera.
Kursi do të ofrohet në Institutin e Studimeve Arabe dhe Islame.
“Ky program do t’i lejojë njerëzit të rishqyrtojnë supozimin se Perëndimi është vendi i racionalizmit dhe shkencës, ndërsa pjesa tjetër e botës është një vend i magjisë dhe besëtytnive”, u shpreh Emily Selove, drejtuese e kursit.
Universiteti Exeter ndër të tjera sqaroi se programi 1-vjeçar mund t’i përgatisë studentët për karrierë në mësimdhënie, këshillim, mentorim, punë në trashëgimi dhe muze, punë në biblioteka, turizëm, organizata arti ose industrinë botuese, midis fushave të tjera.
Një përzgjedhje e moduleve përfshin dragonjtë në letërsinë dhe artin perëndimor, legjendën e mbretit Artur, paleografinë, mendimin islam, teorinë dhe praktikën arkeologjike dhe përshkrimin e grave në Mesjetë.