Manchester Unitedi po bëhet gjithnjë e më i shqetësuar për të ardhmen e Harry Maguires, teksa ai po i afrohet fundit të kontratës së tij.
Mbrojtësi 32-vjeçar ka rigjetur formën nën drejtimin e trajnerit të përkohshëm Michael Carrickut, por ekziston frika se ai mund të ndjekë rrugën e Casemiros dhe të largohet nga klubi këtë verë, kur kontratat e tyre skadojnë.
Rikthimi i tij në formacion, në qendër të mbrojtjes me katër lojtarë të preferuar nga Carricku, ka ndihmuar skuadrën të marrë pesë fitore në gjashtë ndeshje që nga ardhja e trajnerit, me njollën e vetme një barazim jashtë fushe ndaj West Ham Unitedir.
Sipas raportimeve, drejtuesit e klubit janë të shqetësuar për mundësinë e largimit të tij.
Ai tashmë ka të drejtë të negociojë një parakontratë me klube të tjera dhe ka refuzuar oferta nga Liga Profesioniste Saudite si dhe nga Milani këtë vit.
Kuptohet se Maguire dëshiron të qëndrojë në Manchester United, por me shumë gjasë do të duhet të pranojë një ulje page për të arritur një marrëveshje të re.
Carricku është i vetëdijshëm për ndikimin pozitiv që ish-lojtari i Leicester Cityt ka në skuadër dhe foli për të ardhmen e tij më herët gjatë javës.
Ai tha: “Brenda skuadrës duhet të ketë balancë – dëshiron potencialin dhe entuziazmin e të rinjve, por të duhet edhe ai ‘pika e artë’ në mes me lojtarë në kulmin e tyre, dhe përvoja është gjigante”
“Është e vështirë t’i vësh çmim sa e vlefshme është kjo. Harry ka fituar shumë përvojë me këtë klub. Largimi i Casemiro është një tjetër situatë dhe duhet ta kuptojmë çfarë do të thotë kjo”, shtoi ai.
Maguire ndodhet ende në klub pasi vitin e kaluar iu aktivizua një zgjatje 12-mujore e kontratës.
Por, vetëm një javë para se të mbushë 33 vjeç, mbetet e paqartë se cili është qëndrimi i tij për një rinovim të mundshëm.
Një lajm pozitiv për të dhe për klubin është forma e tij aktuale.
Çdo dyshim i mbetur për aftësinë e tij për të konkurruar në këtë nivel është shuar pas “clean sheets” kundër Evertonit, Tottenham Hotspurit dhe madje rivalëve të Manchester Cityt.
I pyetur nëse Maguire po kalon ndoshta formën më të mirë të karrierës, Carrick u përgjigj: “Ka një argument për këtë. Kur je i ri, gjithçka është e freskët, je i guximshëm dhe pa shumë ‘plagë’.
“Arrin vitet e kulmit dhe ndihesh mirë, por ke kaluar disa ulje-ngritje.
“Kur i afrohesh fundit të karrierës, përvoja duhet të të bëjë lojtar më të mirë – dhe këtë e kemi parë me paraqitjet e fundit të Harryt.
“Kjo është arsyeja pse përvoja është e rëndësishme. E kam ndjerë edhe vetë kur luaja – 31 ose 32 ishin vitet e mia më të mira, në atë pikë të artë ku fizikisht je ende i fortë, por përdor përvojën për të parashikuar çfarë po vjen.”
Maguire ishte shumë pranë largimit pas një periudhe të dobët në sezonin 2022/23.
Por ai refuzoi një transferim prej 30 milionë paundësh te West Ham, duke zgjedhur të luftojë për një vend titullari në “Old Trafford”.
Tani ai më në fund ka rilindur, pasi sezonin e kaluar kishte vështirësi për minuta në formacionin 3-4-2-1 të Ruben Amorim.
Carricku la të kuptohet se shpreson për një zgjatje kontrate me reprezentuesin anglez, duke shtuar: “Harry është një karakter mbresëlënës. Ka pasur një karrierë të shkëlqyer deri tani. Shpresojmë që ka edhe shumë më tepër përpara.
“Mendoj se, edhe gjatë kohës së tij këtu dhe me Anglinë, ka treguar saktësisht se kush është”./Express














































