Udhëheqësit serbë e ashpërsojnë fushatën në prag të shtatorit teksa Kosova paralajmëron zgjedhje në veri

0
245

Serbia e ka ashpërsuar fushatën kundër Kosovës, pak ditë para rinisjes së dialogut në shtator. Në rastin më të fundit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, theksoi se shpreson që presidenti ukrainas, Vollodimir Zellenski, me të cilin u takua në Athinë, nuk do të ndryshojë qëndrim rreth mosnjohjes së Kosovës. Mesazhet u dhanë teksa në Kosovë u njoftua për hapjen e rrugës drejt zgjedhjeve të reja në veri, që kërkohen nga BE-ja, Derisa në Qeverinë thanë se mesazhet nga Serbia përbëjnë shkelje të frymës dhe parimeve të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe asaj të Ohrit, në BE nuk iu përgjigjën pyetje të KOHËS rreth rastit

Udhëheqësit shtetërorë në Serbi kanë ashpërsuar fushatën kundër Kosovës, tek kanë mbetur edhe pak ditë nga shtatori, kur pritet të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, adresoi mesazhe kundër njohjes së Kosovës si para ashtu edhe gjatë Samitit të Athinës, të cilin e kualifikoi si format të çuditshëm, shkaku i pjesëmarrjes së Kosovës.

“Ia shpjegova situatën rreth Kosovës. Nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndryshim në pozicionin e Ukrainës në lidhje me integritetin tonë territorial. Ne e mbështetëm Ukrainën në rrugën e saj evropiane”, ka shkruar Vuçiq.

E ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, në një intervistë për TV Pink fundjavën e kaluar, i kritikoi shtetet e rajonit, përfshirë Malin e Zi dhe Maqedoninë Veriore, për njohjen e pavarësisë së Kosovës, e për çka u kritikua edhe nga liderët e rajonit.

“Keni gabuar dhe kjo do t’i godasë në kokë, siç po i godet në Ukrainë të gjithë ata që promovuan Kosovën si shtet të pavarur. E hapën kutinë e Pandorës”, ka shkruar Vuçeviq.

Të dielen, me rastin e qëndrimit në Hungari, Vuçiqi e krahasoi njohjen e Kosovës me ndarjen e qyteteve të banuar me shqiptarë nga Mali i Zi.

“Nëse ndahet Ulqini apo Plava, ne do ta pranojmë menjëherë dhe nëse nuk na dërgoni shampanjë, do të themi se po na kërcënoni? Është sikur, kur Kurti shkakton trazira, e ata thonë se Kurti nuk është fajtor, por Vuçiqi që s’e ka pranuar Kosovën”, tha Vuçiq.

Mesazhe u adresuan teksa në Kosovë, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, bëri të ditur se procesi i mbajtjes së zgjedhjeve të reja në veri, që është kërkesë e BE-së në funksion të shtensionimit të situatës, do të determinohet gjatë ditëve në vijim dhe se udhëzimi administrativ që e mundëson peticionin për largimin e kryetarëve të komunave do të jetë gati në fund të muajit.

Në Qeveri thanë se veprimet si ato të Vuçiqit janë në kundërshtim me zotimet e dialogut.

“Lobimi i vazhdueshëm dhe deklarimet e Vuçiç, nuk janë lajm për ne. Ato janë vetëm dëshmi të njëpasnjëshme të qasjes dhe qëndrimit të pandryshuar të Serbisë pavarësisht marrëveshjeve të dakorduara, dhe shkelje të njëpasnjëshme të frymës dhe parimeve të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe asaj të Ohrit, të cilat presim që të denoncohen nga ndërmjetësit e procesit të dialogut. Kosova po respekton dakordimin me BE-në dhe në vazhdimësi ka shfaqur gatishmërinë për mbajtjen e zgjedhjeve në 4 komunat në veri, konform ligjit. Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar, konstruktive, dhe kreative në procesin e dialogut”, that zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

E njohësi i zhvillimeve politike, Gazmir Raci, thotë se me rifillimin e procesit në shtator, BE-ja duhet të definojë nëse Serbia do të ndërmarrë hapa në funksion të zbatimit të marrëveshjes bazë.

“Serbia vazhdon të jetë destruktive në dialogun e Brukselit dhe komuniteti ndërkombëtar duhet ta qartësojë këtë pozicion serb se a është përnjëmend për dialogun e Brukselit apo është duke blerë kohë në kuadër të këtyre zhvillimeve gjeopolitike dhe raporteve që ende i mban të forta me federatën ruse. Nuk ka mundësi që të vazhdohet tutje që Serbia të vazhdojë në dy drejtime, me Bashkimin Evropian për të marrë fonde e me Federatën Ruse për ta ruajtur miqësinë e përhershme që e ka me popullin rus”, tha Raci.

E në BE nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me deklaratën e Vuçiqit pas takimit me Zelenskyn dhe për paralajmërimet e ministrit Krasniqi për hapjen e rrugës për zgjedhjet në veri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here