Takimi i tetë në kuadër të procesit të dialogut mes kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e përfaqësuesve evropianë, Josep Borrell e Miroslav Lajçak, u mbyll pa rezultate. Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Borrell, tha se kryeministri Kurti, nuk ka qenë i gatshëm të ecë përpara, për dallim prej presidentit Vuçiq, për të cilin pohoi se e ka pranuar propozimin e tyre për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve, raporton Gazeta Sinjali.
Dokumenti në fjalë tashmë është bërë publik dhe aty shihet se janë disa pika, përfshirë krijimin e instrumentit të vetëmenaxhimit për serbët, njohjen e dokumenteve të ndërsjella dhe simboleve kombëtare, shpërbërjen e strukturave të administruara nga Serbia në Kosovë, e të tjera.
I detajuar se si duhet të vazhdohet përpara, dokumenti ka të renditura nenet dhe shpjegimin se si parashihet implementimi.
Sipas dokumentit, zbatimi do të niste me “Hapjen e procesit negociues për Statutin e instrumenteve për vetëmenaxhim të serbëve në Kosovë“, që nënkupton Asociacionin e Komunave.
Po ashtu, paralelisht Serbia nuk do të insistonte më në përdorimin e asteriskut dhe fusnotës apo pjesëmarrjen e UNMIK-ut në forumet rajonale.
Pika tjetër ka të bëjë për përmbylljen e negociatave për “Statutin e instrumenteve të vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës”.
Sipas propozimit të BE-së, hap i radhës, do të ishte që palët të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të njëra-tjetrës dhe do të përmbaheshin nga çdo formë e dhunës, apo nxitjes së dhunës.
Diplomati Borrell tha dje për media se Kurti ka këmbëngulur që të formalizohet fillimisht njohja de-facto e Kosovës nga shteti i Serbisë, ndërsa Serbia kërkoi themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas tij, ka pasur përpjekje të mëdha, por nuk ka qenë e mundur të tejkalohen dallimet.
“Jemi përpjekur shumë, por, për fat të keq, sot nuk ka qenë e mundur të tejkalohen dallimet”, tha Borrell, duke shtuar se Vuçiq e ka pranuar propozimin e BE-së.
“Ky ka qenë kompromisi më i mirë që kemi mundur të ofrojmë”, tha Borrell dhe vuri në dukje se ai mbështetet edhe nga partnerët amerikanë.
Kryediplomati evropian tha, po ashtu, se situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – nuk është qetësuar ende dhe kërkoi nga të dyja palët që të ndërmarrin hapa për shtensionimin e saj.
“Nuk mund të qëndrojmë ulur dhe të presim krizën e radhës”.
“Disa hapa janë ndërmarrë nga Kosova dhe ne i mirëpresim. Disa, por ajo nuk e ka përmbushur kërkesën e bërë për shtensionim të plotë”, tha Borrell.
Borrell tha se kjo është koha kur BE-ja po përpiqet të zgjerohet, por theksoi se pa normalizim të marrëdhënieve, “nuk do të ketë të ardhme evropiane as për Kosovën, as për Serbinë”.