Kylian Mbappé ka reaguar publikisht pas largimit të Xabi Alonsos, duke publikuar një mesazh emocional dhe plot respekt për ish-trajnerin e tij.
Ylli francez ka vlerësuar bashkëpunimin e shkurtër, por domethënës, me teknikun spanjoll, duke theksuar ndikimin pozitiv që Alonso pati tek ai që nga dita e parë.
“Ka qenë një periudhë e shkurtër, por ishte kënaqësi të luaja për ty dhe të mësoja prej teje. Faleminderit që më dhe besim që nga dita e parë”, thuhet në mesazhin e Mbappés.
Sulmuesi francez nuk kurseu fjalët e mira as për profilin profesional të Xabi Alonsos, duke e cilësuar atë si një trajner me ide të qarta dhe njohuri të thella për futbollin.
“Do të të kujtoj si një trajner që kishte ide të qarta dhe që di shumë për futbollin. Të uroj shumë fat në kapitullin tënd të ardhshëm”, ka shtuar Mbappé.
Mesazhi i Mbappés është pritur me reagime pozitive nga tifozët dhe komuniteti futbollistik, duke reflektuar respektin dhe marrëdhënien profesionale mes lojtarit dhe trajnerit. Pavarësisht se bashkëpunimi i tyre nuk zgjati shumë, duket qartë se Xabi Alonso ka lënë gjurmë te një nga yjet më të mëdhenj të futbollit botëror.













































