Një baba i pikëlluar qëndron mes një shtëpie të rrënuar duke mbajtur dorën e vajzës së tij të vdekur, trupi i së cilës nuk shihet nga rrënojat.
Një pamje zemërthyese që tronditi gjithë botën. E shkrepur përgjatë tragjedisë që la pas tërmeti shkatërrues në Turqi dhe Siri, që tashmë ka marrë jetën e mbi 21 mijë njerëzve.
Një nga ta është Irmak, vajza 15 vjeçe e Mesut Hançer që ai e quan “princesha” e tij. Gazeta gjermane “Bild” ka takuar babanë në Varrezat Kapiçam.
Hançer ende ka veshur xhaketën e portokalltë që shihet në fotografi. Dora e tij tash lëviz ngadalë mbi dhe. Një shtyllë e sheshtë prej druri shënon varrin e vajzës së tij. Emri mezi lexohet nën numrin “380”. Irmak.
“Po punoja në furrën e bukës kur toka filloi të dridhej”, kujton Hançer. Zëri i tij është i thellë kur flet. “Thirra gruan time. Ajo më tha se dy vajzat dhe djali janë mirë”.
Por, vajza e tij e vogël nuk kishte fjetur atë natë në shtëpi – por në shtrat me gjyshen. Kushërinjtë e Irmakut ishin në vizitë, ajo donte të qëndronte me ta.
Kur babai thirri gjyshen dhe askush nuk u përgjigj, ai nisi të vraponte.“Iu luta Zotit, ‘Të lutem le të jetë shtëpia jonë e plotë…’” Lutjet e tij s’morën përgjigje.
Pas varrimit të vajzës së tij, Hançer u kthye te vendi ku i mbajti dorën Irmakut për ditë të tëra. Të hënën ishte ende një ndërtesë dhjetëkatëshe aty, tani shpëtuesit po pastrojnë vendin dhe të vdekurit po zbulohen.
“U përpoqa të gërmoj me duar dhe ta nxjerr princeshën time. Por në fund, m’u deshtë ta braktisja në rrënoja”.