Shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Turqisë gjatë vitit 2022 kanë arritur në mbi 860 milionë euro, ndërsa këtë vit synimi është që të arrihet në një miliard.
Kështu u tha në shënimin e 15-vjetorit të themelimit të Odës Tregtare Kosovaro-Turke, ku u vlerësuan raportet e mira ekonomike mes dy shteteve dhe u dhanë shifra në lidhje me shkëmbimet tregtare mes dy shteteve.
Sipas statistikave të prezantuara, Turqia radhitet shteti i tretë me më së shumti investime direkte në Kosovë, pas Gjermanisë dhe Zvicrës, shkruan Zeri.info.
Sipas kryetarit të Odës Tregtare Kosovaro-Turke, Abdurrahman Balkiz, ka një disbalanc tregtar mes Kosovës dhe Turqisë, por për këtë thotë se po angazhohen për të përmirësuar raportin import-eksport me Kosovën.
Sipas statistikave, gjatë vitit që lamë pas Kosova ka eksportuar në Turqi 23.5 milionë euro, ku kryesisht kanë qenë produkte të aluminit dhe tekstilit, shkruan Zeri.info.
Ndërkohë Turqia ka importuar në Kosovë 842 milion euro, ku kryesisht janë produkte të karburantit, çelikut dhe plastikes.
Duke treguar shifrat ekonomike mes Kosovës dhe Turqisë, Balkizi përmendi edhe investimet direkte nga Turqia, të cilat nga viti 2022 kanë arritur në 453 milionë euro, ku këto investime janë kryesisht në sektorët si energjia, financat, logjistika, aviacionit etj.
Nga investimet turke në Kosovë ai tha se janë krijuar rreth 10 mijë vende pune, transmeton Zeri.info.
“Investimet nga Turqia në Kosovë janë orientuar në krijimin e vendeve të punës drejtpërdrejt dhe tërthorazi dhe falë investimeve të drejtpërdrejta nga Turqia në Kosovë janë krijuar rreth 10 mijë vende të punës”, theksoi Balkizi.
Ai tha se investitorët turq në Kosovë po kërkojnë nga institucionet që të lehtësojnë procedurat për të sjellë punëtorë nga jashtë, pasi po përballen me mungesë të punëtorëve të kualifikuar.
“Kjo realisht lidhet me nevojat e kompanive, nga informatë që kompanitë na përcjellin dhe pastaj ne ua përcjellin autoriteteve, mund të them se ka nevojë për njerëz të kualifikuar”, tha ai.
I pranishëm në shënimin e 15-vjetorit, i cili u shënua të martën ishte edhe ambasadori turk në Kosovë, Sabri Tunç Angili, i cili tha se oda po fton çdo ditë e më shumë investitorë turq në Kosovë.
“Kjo odë tregtare me anëtarët e saj nga Turqia dhe nga Kosova në bashkëpunim me profesionistë të ndryshëm qeveritarë po ftojnë investitorët turq që të investojnë këtu dhe kanë kontribuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës”, theksoi Angili.
Të pranishëm në shënimin e 15-vjetorit të Odës Ekonomike Kosovaro-Turke ishin gjithashtu zv/kryeministrja e Kosovës Emilja Rexhepi, ministri i Zhvillimit Rajonal Fikrim Damka, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj dhe përfaqësues të institucioneve kosovare dhe atyre turke, biznesmenë dhe përfaqësues të mediave. /Zëri